Shqipëria

Eksplozivi ndaj Debreshit, reagon Sindikata e Minatorëve


Ish-kandidati i pavarur për deputet, Elton Debreshi

“Tritoli nuk mund ta ndalë përpjekjen tonë”.

Është ky reagimi i Sindikatës së Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës, ndaj aktit të vënies së eksplozivit në makinën e ish-kandidatit të pavarur për deputet, Elton Debreshi.

Makina e këtij të fundit është hedhur në ajër me eksploziv mëngjesin e 27 gushtit.

“Që prej themelimit të sindikatës sonë, ndaj Eltonit dhe shokëve të tjerë ka pasur shpesh përndjekje e kërcënime”, shkruhet në postimin e sindikatës në Facebook. “Sot arritën te tritoli”.

Sipas tyre, mafiozët, oligarkët dhe pushtetarët që marrin kromin e Bulqizës, duan t’u marrin edhe jetën punëtorëve që thonë të vërtetën dhe mbrojnë të drejtat e tyre.

Thirrja e tyre, pavarësisht akteve të pretenduara, mbetet e fortë.

“Ne nuk heshtim. Ne nuk ndalemi”.

Kështu përmbyllet postimi.

Ngjarja

Pas mesnate, të premten e 27 gushtit, policia e Dibrës ka njoftuar se i është vendour lëndë plasëse automjetit në pronësi të shtetasit Elton Debreshi.

Lënda plasëse ishte vendosur në pjesën e përparme të mjetit, ku për pasojë ka pasur vetëm dëme materiale.

Debreshi ishte kandidat i pavarur, në Qarkun e Dibrës, në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit.

Nga shërbimet e Policisë janë shoqëruar në Komisariat disa persona. Ata dyshohet se mund të kenë dijeni për rrethanat e ngjarjes.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë Dibër, po vijon punën për zbardhjen e ngjarjes dhe kapjen e autorëve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore