Lajme

Ekskluzive: Është arritur pajtim për liberalizimin e vizave për Kosovën – “punë e kryer”


Foto nga Albanian Post

Përkundër informacioneve se është zyrtarizuar kërkesa e Francës që hyrja në fuqi e një vendimi eventual për liberalizimin e vizave për Kosovën, të kushtëzohet me fuqizimin e Sistemit Evropian të Informimit dhe Autorizimit të Udhëtimit (ETIAS), Albanian Post ka mësuar nga burimet se çështja e vizave për Kosovën tashmë është punë e kryer.

Janë vendosur edhe nënshkrimet dhe Kosovës do t’i liberalizohen vizat shumë shpejt, pasi është arritur edhe pajtim mes Brukselit dhe Kosovës.

Burimet thonë për AP se Brukseli zyrtar ka marrë pëlqimin e të gjitha ministrive të shteteve anëtare dhe Këshilli i Ministrave do të vendosë pozitivisht për këtë çështje.

Në bisedimet e radhës me 9 dhe 10 nëntor, në takimin e grupit punues për vizat në Këshillin e BE-së do të bëhet e qartë gjithçka.

Historik i rrugëtimit të Kosovës drejt Liberalizimit të Vizave

Kosova e ka nisur rrugëtimin e saj drejt liberalizimit para 12 viteve. Premtimet e shpeshta të politikanëve kosovarë se liberalizimi i vizave do të ndodhte “shumë shpejt”, gazi lotsjellës në Kuvend dhe protestat masive në sheshet kryesore të Prishtinës ishin vetëm disa nga zhvillimet kryesore që karakterizuan procesin.

Fillimi i Dialogut për Liberalizimin e Vizave për Kosovën

Komisioni Evropian, më 19 shkurt të vitit 2012 pati nisur procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën.

Në të njëjtën ditë, Komisionerja e BE-së, Cecilia Malmström, zhvilloi takime dypalëshe me liderët e Kosovës në Prishtinë.

“Angazhimi ynë për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës është real dhe jam shumë e kënaqur që tani mund të fillojmë të bëjmë progres konkret drejt këtij qëllimi. E di se sa i rëndësishëm është lëvizja pa viza për qytetarët e Kosovës. Se sa shpejt qytetarët do ta kenë privilegjin e lëvizjes pa viza, do të varet tërësisht nga përpjekjet e vazhdueshme të Qeverisë së Kosovës për zbatimin e reformave në fushën e sundimit të ligjit dhe nga përparimi konkret i bërë në terren”, pati thënë Malmström.

Këshilli Evropian u dorëzon Autoriteteve  të Kosovës Udhërrëfyesin e Vizave

Më 14 qershor të vitit 2012, Kosova pranoi udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave, duke identifikuar të gjitha masat që Kosova duhet të miratojë dhe zbatojë për të avancuar drejt liberalizimit të vizave. Udhërrëfyesi përbëhej nga 95 kritere që duhej të përmbusheshin, në mënyrë që të hiqen vizat për qytetarët e Kosovës. Ky udhërrëfyes ishte strukturuar sipas blloqeve përkatëse:

  1. Ripranimi dhe Riintegrimi;
  2. Siguria e dokumenteve;
  3. Menaxhimi i Kufirit dhe Migracionit;
  4. Siguria dhe Rendi Publik, dhe
  5. Liria e Lëvizjes dhe të Drejtat Themelore.

Udhërrëfyesi kishte për qëllim identifikimin e masave legjislative dhe masave të tjera që Kosova duhet të miratojë dhe zbatojë në një afat të shkurtër për avancimin e procesit të liberalizimit të vizave.

Për adresimin e këtyre masave, në prill të vitit 2013 u hartua një Plan Veprimi me aktivitete konkrete për përmbushjen e këtyre kritereve. I gjithë plani përmbante rreth 150 aktivitete specifike.

Nga ana tjetër, arritjet kryesore gjatë procesit sipas Ministrisë së Integrimit Evropian përfshinin:

Në fushën e ripranimit dhe riintegrimit: ndarja dhe shpenzimi i buxhetit adekuat duke investuar në riintegrimin afatgjatë të personave të riatdhesuar.

Në fushën e sigurisë së dokumenteve është ndryshuar kuadri ligjor për ndryshimin e emrit.

Në fushën e migracionit dhe azilit, ka pasur një ulje drastike të numrit të kosovarëve që kërkojnë azil në vendet e BE-së dhe, në të njëjtën kohë, janë siguruar kushte dhe kapacitete të mjaftueshme, në rast të fluksit të refugjatëve nga vendet e treta.

Në fushën e mbrojtjes së të drejtave të njeriut është kompletuar korniza ligjore dhe është arritur marrëveshja me Serbinë për lëvizjen e lirë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e cila u mundëson qytetarëve të të dy vendeve të udhëtojnë brenda ose nëpër territoret e të dy vendeve me letërnjoftim. Gjithashtu, është përmbushur edhe një nga kriteret e fundit të mbetura lidhur me punën e Avokatit të Popullit, gjegjësisht ofrimi i një lehtësie adekuate dhe sigurimi i pavarësisë buxhetore të institucionit.

Ilustrim

Raporti i Parë i Liberalizimit të Vizave

Komisioni Evropian, më 12 mars të vitit 2013 prezantoi raportin e parë për progresin e arritur nga Kosova në përmbushjen e kërkesave të udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave. Pika kryesore e saj ishte se, edhe pse Kosova kishte bërë përparim, ajo kishte ende një kapacitet të kufizuar për të luftuar krimin dhe korrupsionin.

Raporti i Dytë i Liberalizimit të Vizave

Më 24 korrik 2014, KE prezantoi raportin e dytë për progresin e Kosovës në përmbushjen e kërkesave për liberalizimin e vizave. Sipas raportit, Kosova ka bërë përparim të mirë, por nevojiten përpjekje të mëtejshme për një regjim pa viza për mbajtësit e pasaportave të Kosovës, duke arritur në përfundimin se heqja e detyrimit të vizave për qytetarët e Kosovës mbartte disa rreziqe sigurie dhe migracioni për BE-në.

Raporti i Tretë i Liberalizimit të Vizave

Komisioni Evropian, më 18 dhjetor të vitit 2015 miratoi raportin e tretë për progresin e Kosovës në përmbushjen e kërkesave për liberalizimin e vizave, duke vlerësuar se kanë mbetur vetëm tetë kërkesa të pazgjidhura dhe duke siguruar se me përmbushjen e tyre Komisioni do të propozojë heqjen e regjimit të vizave për Kosovën.

Raporti Përfundimtar i Liberalizimit të Vizave

Më 4 maj 2016, KE i propozoi Këshillit të Bashkimit Evropian dhe Parlamentit Evropian heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës, me përmbushjen e dy standardeve të fundit – ratifikimin e marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi dhe luftimin e korrupsionit.

Komiteti i PE-së LIBE rekomandon liberalizimin e vizave për Kosovën

Komiteti i Parlamentit Evropian LIBE, më 5 shtator të vitit 2016, rekomandoi liberalizimin e vizave për Kosovën, por votoi kundër fillimit të negociatave përpara se vendi të përmbushë dy kriteret e mbetura, duke përfshirë miratimin e një marrëveshjeje për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.

Komisioni Evropian publikon Raportin për Kosovën

Komisioni Evropian, më 17 prill 2018 konfirmoi në Raportin e tij për Kosovën se Kosova ka përmbushur kërkesën e fundit të udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave, që ishte lufta kundër korrupsionit. Raporti tregoi se autoritetet e Kosovës krijuan dhe forcuan një histori të qëndrueshme të hetimeve dhe vendimeve përfundimtare të gjykatave në rastet që kanë të bëjnë me krimin e organizuar dhe korrupsionin, duke përmbushur kështu me sukses standardin përfundimtar.

Komisioni Evropian propozon liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës

Komisioni Evropian, më 18 korrik 2018 dha një rekomandim pozitiv për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, duke rikonfirmuar se Kosova ka përmbushur dy kërkesat e pazgjidhura për liberalizimin e vizave. Në të njëjtën ditë, Komisioneri Dimitris Avramopoulos bëri thirrje Parlamentit Evropian dhe Këshillit që të miratojnë me shpejtësi propozimin e Komisionit për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës.

“Jam i lumtur të ju njoftoj se të gjitha përpjekjet e Kosovës dhe puna e tyre drejt liberalizimit të vizave janë shpaguar dhe prandaj sot mund të konfirmojmë se Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret e udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave”, kishte thënë komisioneri Avramopoulos.

Ndërkohë, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi kishte thënë se vendimi i Komisionit Evropian për të shpallur të përmbushur edhe kriterin e fundit për liberalizimin e vizave është lajmi më i mirë për Kosovën në dekadën e fundit.

“Kilometrat e fundit ishin shumë të gjata, por jam i lumtur që së bashku po mbërrijmë në cak dhe shpresojmë që shumë shpejt qytetarët e Kosovës do të lëvizin pa viza”, – kishte shtuar Thaci.

Komiteti LIBE Voton për Liberalizimin e Vizave

Komisioni i Parlamentit Evropian për Liritë Civile, Drejtësi dhe Çështje të Brendshme (LIBE), më 30 gusht 2018 dha dritën jeshile për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Në të njëjtën kohë, Komisioni miratoi hapjen e negociatave ndërinstitucionale për përfundimin e procesit. Tridhjetë anëtarë të komisionit votuan pro, dhjetë kundër dhe dy abstenuan.

“Ky është edhe një hap drejt lëvizjes së lirë, edhe një sukses i përbashkët drejt afrimit me familjen evropiane. Pas votimit në Komision, procesi vazhdon në seancën plenare të Parlamentit Evropian që pritet të mbahet në mesin e shtatorit të këtij viti, pastaj në Këshillin e Ministrave e tutje”. – kishte thënë ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha.

Parlamenti Evropian miraton bisedimet për viza me Kosovën

Parlamenti Evropian më 13 shtator 2018 është pajtuar që të hapë bisedimet për heqjen e regjimit të vizave për qytetarët e Kosovës. Miratimi erdhi pasi 420 nga anëtarët e PE-së votuan pro propozimit dhe 186 kundër tij.

Raportuesja për vizat në Parlamentin Evropian Tanja Fajon, gjatë prezantimit të rekomandimit kishte thënë se qytetarët e Kosovës e meritojnë votën pro, pasi institucionet e Kosovës i kanë përmbushur gjitha kriteret për liberalizimin e vizave.

Fajon tha se qytetarët e Kosovës janë edhe një hap më afër udhëtimit pa viza në Evropë.

“Përpjekjet vazhdojnë me qeveritë e vendeve të BE-së dhe nuk do të ndalem derisa të liberalizohen vizat”, patë shkruar Fajon në rrjetin e saj social Tëitter.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi kishte thënë se qytetarët e Kosovës, janë “një hap më afër drejt realizimit të një të drejte bazike”.

Ai tha se votimi në Parlamentin Evropian pro liberalizimit të vizave për Kosovën “është një mesazh i qartë edhe për institucionet e tjera vendimmarrëse në Bashkimin Evropian”.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj tha se qytetarët e Kosovës së shpejti do të lëvizin lirshëm, pa viza.

“Urime qytetarë të Kosovës! Së shpejti do të lëvizni lirshëm në Evropë. Falënderues ndaj të gjithë deputetëve dhe grupeve parlamentare, të të gjitha partive e shteteve anëtare, që në Parlamentin Europian e mbështetën të drejtën tonë për lëvizje të lirë”. – kishte shkruar Haradinaj në rrjetin e tij social Facebook.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore