Lajme

Ekonomia kineze shënon 18.3% rritje


Ekonomia e Kinës përjetoi një rritje rekord në tremujorin e parë të këtij viti, krahasuar me të njëjtën periudhë vitin e kaluar, kur vendi ishte në lockdown për të ndaluar përhapjen e coronavirus-it.

Sipas të dhënave nga Byroja Kombëtare e Statistikave, Produkti i Brendshëm Bruto (PBB) u zgjerua me 18.3% në tre muajt e parë të vitit 2021.

“Ekonomia kombëtare bëri një hap përpara këtë vit”, tha zyrtari për Byronë Kombëtare të Statistikave të Kinës.

“Ne duhet të jemi të vetëdijshëm se epidemia Covid-19 është ende duke u përhapur globalisht dhe peizazhi ndërkombëtar është i ndërlikuar, i pasigurt dhe i paqëndrueshëm”.

“Rritja e PBB-së së Kinës kishte një rekord të lartë në tremujorin e fundit. Por, kjo erdhi sepse krahasohet me rënien historike të vitit të kaluar”, tha Julian Evans-Pritchard, ekonomist në firmën e konsulencës, Capital Economics.

“Në terma nga tremujori në tremujor, rritja ekonomike e këtij tremujori ishte e ngadaltë. Me përjashtim të tremujorit të parë të vitit të kaluar, rritja e këtij viti është, ishte më e ngadalta se çdo tremujor tjetër gjatë dekadës së kaluar”, shtoi ai.

Prodhimi industrial për muajin mars u rrit 14.1% krahasuar me një vit më parë, ndërsa shitjet me pakicë u rritën 34.2%.

“Treguesit mujorë dëshmuan që prodhimi industrial, konsumi dhe investimet morën hov gjatë muajit mars, pas një rënie të dobët në dy muajt paraardhës”, tha Louis Kuijs, ekonomist në firmën kërkimore dhe këshilluese Oxford Economics.

Sidoqoftë, disa analistë parashikuan që rritja për një numër sektorësh do të ngadalësohet, ndërsa mbështetja fiskale dhe monetare e qeverisë po zvogëlohet.

“Performanca tregtare dhe aktivitetet e industrisë së brendshme, mund të mos jenë në gjendje të përjetojnë një vrull kaq të fortë. Kjo, për shkak të mungesës së masave për të stimuluar ekonominë e brendshme”, tha Yue Su, ekonomistja kryesore e Njësisë së Inteligjencës Ekonomike për Kinën.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore