Lajme

Efektet e pandemisë kanë lënë pas ekonominë evropiane


Tremujori i parë i vitit 2021 e ka gjetur eurozonën prapa ekonomive të tjera të mëdha. Kjo kryesisht ka ardhur si pasojë e rënies së prodhimtarisë nga masat e marra për kontrollin e coronavirus-it.

Nga ana tjetër, të enjten, SHBA-ja raportoi rritje të tremujorit të parë me 1.6% krahasuar me tre muajt e mëparshëm. Gjithashtu, edhe Kina, dy javë më parë, njoftoi një rritje prej 0.6% të ekonomisë.

Pjesa më e madhe e Evropës iu nënshtrua niveleve të ndryshme të bllokimit në tre muajt e parë të këtij viti. Shumë mbyllën dyqanet dhe kufizuan udhëtimet, për të parandaluar një valë të tretë të infeksioneve Covid-19.

Gjermania ishte ekonomia kryesore më e goditura e Evropës. Ajo shënoi një tkurrje tremujore prej 1.7 %, pasi rënia e konsumit të familjeve ndikoi edhe tek eksportet e vendit.

Prodhimi i Brendshëm Bruto (PBB) i Spanjës u tkurr me 0.5%, për shkak të rënies së konsumit të familjes dhe prodhimit. Edhe prodhimi i Italisë ra me 0.4%, sepse ishte i zvarritur nga veprimtaria e sektorit të ulët të shërbimeve.

Ekonomia e Portugalisë u tkurr 3.3 % pas një shpërthimi të shfrenuar të Covid-19.

Ekonomia franceze, ndryshe nga vendet e tjera, u rrit me 0.4 %. Kjo erdhi si efekt i rritjes së sektorit të ndërtimit dhe një rikthim i lehtë i konsumit të familjeve.

Pavarësisht nga programi i suksesshëm i vaksinimit në Mbretërinë e Bashkuar, ekonomia e saj gjithashtu pritet të jetë e dobët.

Ekonomia e Britanisë u rrit më 0.4%, por rënia gjatë bllokimit të janarit ka të ngjarë të rezultojë në një tkurrje të përgjithshme për tremujorin e parë të vitit 2021. Sidoqoftë pritet një përmirësim në tremujorin e dytë.

“Ekonomia në tremujorin e parë u tregua më pak elastike ndaj kufizimeve krahasuar me pranverën e kaluar”, tha Maddalena Martini, ekonomiste në agjencinë e përllogaritjeve, Oxford Economics.

“Ne parashikojmë që aktiviteti të rikthehet në normalitet këtë vit, paralelisht me rritjen e vaksinimeve dhe zbutjen graduale të kufizimeve”.

Banka Qendrore Evropiane parashikon që ekonomia e eurozonës do të rritet 4% gjatë këtij viti dhe do të kthehet në nivelin e saj para-pandemisë në vitin 2022.

Papunësia në të gjithë bllokun u ul në 8.1 % nga 8.2 % që ishte muajin e kaluar. Sidoqoftë, shifrat e papunësisë përjashtojnë miliona njerëz të tjerë, të cilët ose kanë ndaluar së kërkuari punë ose janë në skema të subvencionuara nga qeveria.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore