Lajme

Edhe nëse Kurti është pro bashkimit me Shqipërinë, si do ta bëjë?


Ilustrim

Bashkimi i Kosovës me Shqipërinë, përkundër dëshirës së kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, është i pamundur aktualisht.

Një gjë të tillë e ndalon Kushtetuta e Kosovës, konkretisht Neni 1, pika 3.

“Republika e Kosovës nuk ka pretendime territoriale ndaj asnjë shteti ose pjese të ndonjë shteti dhe nuk do të kërkojë të bashkohet me asnjë shtet ose pjesë të ndonjë shteti”, tha juristi Arbër Jashari për Albanian Post.

Arber Jashari

Sipas tij, “po ashtu Kosova, akoma nuk ka një Ligj për referendum, i cili do të ishte i nevojshëm për të tilla raste”, shtoi ai.

“Teorikisht dhe praktikisht, pa ndryshimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, dhe pa miratimin e një Ligji për referendum, nuk mund të vihet në agjendë një ide e tillë”.

Jashari thekson se për t’u arritur ndryshimi i Kushtetutës, duhen edhe votat e deputetëve të Listës Serbe.

“Dihet se për ndryshimin e Kushtetutës, duhen 2/3 e votave të të gjithë deputetëve(80), përfshi edhe 2/3 e deputeteve nga radhët e komuniteteve. Shikuar në aspektin kohor gjeopotik, duket të jetë vështirë e arritshme”.

Ndërkaq kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati, ka kërkuar nga Kurti të tregojë si do e bënte bashkimin me Shqipërinë, duke e cilësuar idenë e Kurtit si populliste.

“Kryeministri si një propagandues i idesë së bashkimit dhe përfitues elektoral për shkak të saj, do të duhej të tregonte se si i eliminon këto pengesa, e jo të tregojë se si do të votonte ai në një referendum të mundshëm”, theksoi Murati për AP.

Valon Murati

“Ashtu siç e ka përdorur në të kaluarën idenë e bashkimit për qëllime elektorale, dhe me motive populliste, pa pasur asnjëherë projekt se si do të realizohej ai, edhe sot ai përpiqet ta përdor idenë e bashkimit duke na treguar si do të votonte”.

Ai konsideron që në këtë fazë Kosova dhe Shqipëria mund të bëjnë shumë hapa në fushën e integrimeve kombëtare, por sa i përket bashkimit, për shkak të pengesave që lartcekura, “sot është e pamundur të realizohet”.

Megjithatë Murati, konsideron që kjo dëshirë e kryeqevertarit kosovar, mund të jetësohet vetëm nëse bëhet ripërcakitmi i kufijve me Serbinë.

“Me një ujdi të tillë me garanci ndërkombëtare do të krijoheshin kushtet për ndryshimin e Kushtetutës së Kosovës, do të funksionalizohej Kosova si shtet dhe kështu do të përmbyllej procesi i shtet-ndërtimit”, potencoi Murati.

Murati është i bindur që vetëm pas një procesi të tillë mund dhe duhet të shtrohet çështja e bashkimit në mes të Kosovës dhe Shqipërisë.

“Çështja është se si të hiqen pengesat për t’u realizuar bashkimi. Kjo është detyra e politikanëve, e mbi të gjitha e atyre që e udhëheqin qeverinë në Kosovë”.

Ndryshe Kurti në një intervistë me zë për revistën online “Monocle” ka thënë se në të ardhmen do të votonte për bashkim me Shqipërinë vetëm nëse do të kishte një referendum paqësor dhe demokratik.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

“Vetëm nëse do bëhej në mënyrë paqësore dhe demokratike. Kosova dhe Shqipëria janë dy shtete por kemi të njëjtën gjuhë dhe jemi një komb. Kur e deklaruam pavarësinë, e deklaruam kundër Serbisë dhe jo kundër Shqipërisë”, pati thënë Kurti.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore