Lajme

Edhe Klinika Emergjente në kërkim të specialistëve


Foto: Albanian Post

93 mijë pacientë janë trajtuar vetëm gjatë vitit 2022 në Klinikën Emergjente të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

Por, për trajtimin e tyre nuk ka numër të mjaftueshme të specialistëve, këtë e bën të ditur drejtori i kësaj klinike, Naser Syla.

“Sa i përket vitit të kaluar në Klinikën Emergjente ka qenë shumë e ngarkuar. Nëse flasim për disa standarde që janë të përcaktuara nga OBSh-ja në Qendrën Emergjente që kryhet trajtimi terciar dhe një vend me 2 milionë banorë, maksimumi duhet t’i ketë 20 mijë pacientë brenda vitit”.

“Kurse gjatë vitit të kaluar në klinikën tonë kanë defiluar afër 93 mijë pacientë. Prej një stafi mjekësor nga 23 specialistëve që janë aktualisht dhe prej 18 specializantëve dhe prej 68 teknikëve të kuadrit të mesëm”, ka deklaruar Syla për agjencinë e lajmeve Ekonomia Online.

Teksa për nevojën me staf shtesë theksoi se duhen edhe mbi 30 prej tyre.

“Në Qendrën Emergjente i kemi 25 specialistë që 23 prej tyre punojnë me ndërrime. Për momentin klinikës i duhen 39 specialistë të Mjekësisë Emergjente që me mbërri minimumin e standardëve botërore”.

“Sipas standardeve botërore në 100 mijë banorë duhet me qenë 14.9 specialistë të emergjencës, ndërsa ne në 2 milionë banorë i kemi 2.6 specialistë”.

Sipas tij, nevojat e pacientëve tregojnë edhe për ndërtimin urgjent të spitalit të Prishtinës.

“Është me rëndësi që prej këtyre rasteve që janë prezantuar gjatë vitit, pra pacientë që me të vërtetë kanë pasur nevojë që të vijnë në QKUK e që janë pranuar për trajtim të mëtutjeshëm në qendrën tonë, janë afër 52 mijë pacientë”.

Për pajisjet shëndetësore, Syla pohoi se klinika që ai e drejton qëndron mjaft mirë në këtë drejtim .

“Qendra Emergjente gjithherë ka qenë në nivel të pajisjeve shëndetësore, terapisë dhe listës esenciale, ka qenë në nivel. Çdo ministër që e ka udhëhequr MSh-në primare e ka pas Qendrën Emergjente”.

“Arsyet janë të shumta për nga numri i pacientëve, mandej është faza e parë kur pacienti takohet me një trajtim mjekësor dhe nëse neve na mungon diçka, atëherë çka më tutje”.

Ndryshe, problemi i ikjes së mjekëve nga Kosova, ka filluar që në vitin 2016 kur qeveria ndaloi së hapuri konkurset për specializantë.

Ndërsa, profesionistë shëndetësorë tashmë kanë deklaruar se për këtë dukuri duhet të ndërmerren masa urgjente, në mënyrë që të zvogëlohet numri i ikjes së mjekëve nga Kosova.

Në anën tjetër, Qeveria e Kosovës, njëjtë si secila qeveri tjetër, nuk është se ka prezantuar plan specifik për ikjen e specialistëve mjekësorë.

Planet qeveritare, sipas asaj që është prezantuar deri më tani, janë dhënë kryesisht si platforma të përgjithshme, ku nuk flitet për probleme specifike të shëndetësisë. Dhe derisa qeveritarët ndërrohen, ikja e mjekëve të rinj mbanë ritmin e njëjtë.

Infermierët e Kosovës, sytë nga tregu i jashtëm

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore