Lajme

Edhe dy muaj paraburgim për “Llunen” – i kishte sulmuar zyrat e KQZ-së në Veri


Arrestimi i Millun Milenkoviç-it.

Gjykata Themelore në Prishtinë, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Kosovës, për vazhdimin e masës së paraburgimit edhe për dy muaj ndaj Millun Milenkoviç-it.

Lajmin për Albanian Post e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi.

“Ju njoftojmë se Gjykata Themelore në Prishtinë-Departamenti Special, duke vendosur sipas kërkesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës me numër PPS.nr.103/22, për vazhdimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit M.M edhe për dy muaj”.

“Gjykata ka marr aktvendimin me numër PPPS.nr.63/22 të datës 10.11.2023, me të cilën është aprovuar kërkesa e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për vazhdimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit M.M deri me datën 12.01.2024”, thuhet në përgjigjen e Gashit për Albanian Post.

Milenkoviç, i njohur me nofkën kriminale “Llune”, si një nga krerët e formacionit paraushtarak “Mbrojtja Civile” dhe prijës i kahmotshëm i bandave kriminale në Veri të Kosovës, ishte arrestuar më 13 qershor në Mitrovicën e Veriut nën dyshimet për terrorizëm.

Ai dyshohet se në bashkëveprim edhe me persona të tjerë, kanë sulmuar zyret e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Mitrovicën e Veriut me qëllim të frikësimit serioz të popullatës, për të pamundësuar zgjedhjet lokale si dhe me qëllim që të destabilizojnë ose shkatërrojnë strukturat themelore politike dhe kushtetuese të Kosovës.

Pas arrestimit të Millenkoviç, Prokuroria Speciale kishte parashtruar kërkesë për masën e paraburgimit ndërsa gjykata kishte vendosur për masën e paraburgimit prej 30 ditësh ndaj të njëjtit.

Arrestimi i tij krijoi një situatë të tensionuar, ku një grup i qytetarëve serb u mblodhën pranë vendit ku ai po arrestohej, në një lokal floktarësh, me qëllim të kundërshtoheshin veprimeve policore të NJSI-së që po ndërmerreshin.

Sipas ministrit të Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla, Millenkoviç ka qenë një prej udhëheqësve të formacionit kriminal “Mbrojtja Civile”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore