Teknologji

Edhe biznesi rrëfen


Na ishte njëherë…jo, jo! Është tani!

Ngjashëm si me tregimin e një historie, fotografia po tenton të rrëfejë të tashmen e një biznesi. Ajo gjendet ngado. Fizikisht apo virtualisht, fotografia po na udhëheq të shohim ushqimet, veshjet apo sendet, me sytë e saj.

Një djalë duke ngrënë një pjatë të shijshme në një restorant mondan. Diku tjetër një vajzë duke pirë një aperitiv përkëdhelur nga rrezet e diellit pranveror.

Panorama e përgjithshme rrëfen nevojën e bizneseve në një kohë pandemie për të qenë të dukshëm, falë fotografive që rrëfejnë identitetin e markës.

Bizneset janë treguar të kapshëm. Kanë nisur të joshin klientët e tyre përmes fotografive profesionale të produkteve që ofrojnë. Vigjilent ndaj estetikes dhe të bukurës, pronarët e tyre gjatë pandemisë kanë ndjerë nevojën për të marrë një fotograf.

Vëmendja e bizneseve ndaj fotografive të produkteve, të cilat transferohen më pas nëpër mediat sociale, faqet e internetit apo nëpër katalogë, ka pasur ndikim edhe te kalimi i fotografëve në një tjetër kategori. Një pjesë e konsiderueshme e tyre, ka zgjedhur të zhvendoset nga fotografimi i ngjarjeve të rëndësishme tek ai i sendeve.

Biznesi afër njerëzores

Një fotograf profesionist nuk e sheh kalimin si tërësor. Donald Plozha mendon se ekziston një tranzicion i fotografëve drejt fotografimit të produkteve, por ai nuk është total. Më shumë se gjysma e fotografëve i kanë qëndruar besnikë fotografimit tradicional.

“Biznesi në vetvete është i ftohtë. Në momentin që hap llogarinë e Instagram-it dhe sheh fytyra njerëzish që janë duke konsumuar një pjatë apo duke shijuar një pije, të krijojnë një ndjesi njerëzore”, shprehet Plozha.

Ideja e tij lidhet me karakterin e këtyre mediave. Ato janë sociale, prandaj dhe njerëzit duan të shohin njerëz në to. Kjo do i ndihmonte bizneset për t’u lidhur me klientët në një mënyrë më njerëzore.

Plozha bën një ndarje interesante ndërmjet fotografimit të mirëfilltë të produkteve dhe fotografimit larg të qenit i tillë. Atë e ndan fakti nëse fotografitë e produkteve nuk ndalen vetëm te paraqitja në një nga llogaritë e mediave sociale, por në ndërtiminn e identitetit të markës, qoftë në faqen zyrtare në internet, në katalogje apo broshura.

“Mirëpo, fotografimi professional i produkteve mbetet një çështje ekzotike për bizneset”, shprehet Plozha, për shkak se aspekti kreativ i prezantimit të produkteve inkurajohet vetëm te kompanitë e mëdha. Ndërkohë, bizneset e vogla, të cilat e kanë të largët konceptin e brand-it dhe nga ana tjetër, nuk e kanë potencialin për të punësuar një fotograf profesionist, i cili kushton, mbeten pas.

Në rrugën drejt brand-it

Një kompani që merret me përmbajtjet digjitale të mediumeve, përçon idenë se vetëm fotografia nuk mjafton. Përfaqësuesit e Detaixi-t thonë për Albanian Post se marketingu i produkteve mund të marrë një hov të madh zhvillimi në vend nëse bizneset kuptojnë se vetëm fotografia nuk mund të realizoj diferencimin në treg.

“Kur kemi të bëjmë me biznese që ndajnë të njëjtët furnitor, kuptojmë se nuk është e rëndësishme të kesh foto, por foto të brand-uara”, sqaron Detaixi.

Sipas tyre, nëpërmjet fotografive të brand-uara, në momentin që klienti ndeshet me një nga produktet e fotografuara arrin të kuptojë menjëherë se me cilin biznes kanë të bëjnë.

Kompania është e mendimit se nuk ka rëndësi nëse fotografia e produktit serviret në format digjital apo sipas strategjive tradicionale të marketingut. Me rëndësi është identifikimi i produktit me markën.

“Ashtu siç ne sinjalizojmë jeshilen me ‘ec’ dhe të kuqen me ‘ndalo’, klienti duhet të sinjalizojë fotografinë që i ofrohet me produktin”, shpjegojnë ata.

Po biznesi vetë, ç’thotë?

Rëndësinë e prezantimit të produkteve përmes fotografive nuk e mohojnë as bizneset. Klea Mustafa, themeluese e markës biokozmetike të quajtur Erboristeria di Klea, thotë se “fotografia, për një biznes që operon online është gjëja më e rëndësishme”.

Ajo shprehet se është kujdesur përherë që përmbajtja e faqes së saj të jetë e kompletuar me fotografi të produkteve, të cilat janë të stilizuara me detaje dhe të konkretizuara me një temë të caktuar.

Mustafa dallon se kjo taktikë ka rezultuar të jetë më efikase pasi klientët krijojnë më shumë besueshmëri. Ata tërhiqen nga përmbajtja pamore dhe ndjehen të sigurt për hapin e radhës drejt blerjes së produktit.

Nga ana tjetër, ajo nuk e mohon faktin që në fillesat e saj, marrja e një fotografi përbënte problem, pasi kostot e marrjes së tij nuk mund të ishin të përballueshme.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore