Lajme

E pranon edhe Gërvalla: Marrëveshja Bazë pa njohje de jure është “kompromisi më i madh” i Kosovës


Donika Gërvalla

Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla-Schwarz, në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, ka pohuar se pranimi i Marrëveshjes Bazë për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë pa njohje formale, ka qenë “kompromisi më i madh” që e ka bërë Kosova në kuadër të dialogut nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian (BE).

“Pikërisht fakti që ne, si hap të ndërmjetmë, pranuam fillimisht një marrëveshje që e sjellë njohjen de facto dhe jo de jure të Kosovës është kompromisi më i madh që e kemi bërë, mirëpo në ndërkohë, nuk është se kemi parë ndonjë vlerësim të këtij kompromisi, gjë që edhe na përforcon qëndrimin se duhet të jemi shumë të kujdesshëm me premtimet që i japim”.

“Tani, nëse Kosova mbetet e vetmja palë që ngulë këmbë në implementimin e kësaj marrëveshje, për të cilën në vazhdimësi, para se të jepnim miratimin tonë e megjithë hezitimin që kemi pasur rreth përmbajtjes së saj, atëherë ku janë ata që e propozuan e ku ndërroi strategjia në mes të rrugës. Pse tani po dalin kërkesa dhe plane të reja?”, ka shtuar shefja e diplomacisë kosovare.

E zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, në një konferencë për media të hënën në Prishtinë, ka thënë se intervista e tij e fundit për gazetën serbe “Danas”, përkatësisht deklarata e tij se Qeveria e Kosovës ka bërë “lëshim të madh” në momentin që ka pranuar Marrëveshjen Bazë pa njohje de jure, ishte (keq)përdorur nga një pjesë e mediave kosovare.

Madje, kryenegociatori i palës kosovare për çëshjtet teknike në procesin e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, ka thënë se deklarata e tij është nxjerrë jashtë kontekstit nga mediat kosovare që, sipas tij, përveçse “financohen nga Serbia”, kanë tentuar t’i japin “konotacion negativ” pranimit të Marrëveshjes Bazë pa njohje de jure.

Gërvalla: Lajçaku e ka mbushur kupën duke favorizuar Serbinë

Shefja e diplomacisë kosovare ndër të tjera ka konfirmuar qëndrimin e Qeverisë së Kosovës se për dështimin e raundit të ri të negociatave për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi nën ndërmjetësimin BE-së fajet i ka Emisari Special i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, i cili, sipas saj, javën e fundit e ka “mbushur kupën” me pocizionimin e tij në favor të Serbisë.

“Ai është treguar tërësisht i njëanshëm në procesin e dialogut e në të cilin BE-ja duhej të ishte e paanshme për të siguruar që të dyja palët të shohin se përfaqësimi i tyre merret në konsideratë. Ne disa herë e kemi shprehur pakënaqësinë në mënyrë interne se si Lajcaku e udhëheq këtë dialog dhe javën e kaluar është mbushur kupa, pra ka qenë tepër i hapur në favor të Serbisë”.

Për këtë është i bindur edhe kryeministri kosovar, Albin Kurti, i cili, në një konferencë për media në Prishtinë, ka flirtuar me teorinë e konspiracionit dhe komplotit. Ai ka thënë se ekziston një skenar, i hartuar nga diplomati sllovak dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, për të dëmtuar të ardhmen e Kosovës në procesin e mëtejmë të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.

Gjatë një konference të gjatë për media, kreu i ekzekutivit ka thënë se në takimin e fundit nën ndërmjetësimin e Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë, Josep Borrell, ai është “eskpozuar” para një skenari që, sipas mendimit të tij, diplomati sllovak e kishte “dizajnuar kohë më parë” për të favorizuar pozitën negociuese të Beogradit në dëm të Prishtinës.

Megjithatë, ndonëse BE-ja i ka konsideruar “akuza të pabaza” pretendimet e autoriteteve kosovare për njënashmërinë e Lajçakut, kryediplomatja kosovare ka thënë se zyrtarët evropianë “nuk mund ta mbulojnë dështimin një procesi pa strategji, pa plan dhe të njëanshëm”, duke kërkuar njëkohësisht ndihmën e “partnerëve ndërkombëtarë” drejt normalizimit të marrëdhënieve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore