Shqipëria

E marta, dita pa makina në Tiranë


Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka deklaruar se e marta e 22 marsit do të jetë një ditë pushimi zyrtar pa makina.

E marta, e cila është edhe një ditë pushimi zyrtar, do të shërbejë “për të kthyer sërish harenë e ajrin e pastër në kryeqytet”.

Kështu, qytetarët do të duhet t’i kyçin makinat e tyre dhe të lëvizin në këmbë.

“E di që fëmijët mezi e presin një ditë pa makina, ndaj nesër, e martë 22 mars, si ditë pushimi zyrtar, do rikthejmë sërish harenë e ajrin e pastër në Tirane duke iu bashkuar nismës së Qeverisë për qytetet që kursejnë naftë e tym, e lëvizin shëndetshëm”, shkruan Veliaj.

Sipas planit, do të kufizohet qarkullimi i automjeteve nga ora 09:00 deri në orën 15:00, në disa segmente: bulevardi “Dëshmorët e Kombit” nga ministria e Brendshme deri në fillim te “ish- Hotel Dajti”, bulevardi “Dëshmorët e Kombit” nga Ura e “ish-Hotel Dajtit” deri në kryqëzimin me rrugën “Ismail Qemali”.

Po ashtu, do të bllokohet segmenti i rrugës “Myslym Shyri” nga kryqëzimi i Gjykatës së Lartë me drejtim dalje në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Nga ana tjetër, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, disa ditë më parë, në një mbledhje me përfaqësuesit e shoqatave të transportit publik, njoftoi se do të riktheheshin ditët pa makina.

Kryeministri Edi Rama dhe përfaqësuesit e shoqatave të transportit publik

Sipas tij, Qeveria po mendon për kursimin e hidrokarbureve dhe energjisë.

Për këtë të fundit, të dielën e 20 marsit, ishte ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, e cila në një dalje publike, bëri me dije planin e masave për menaxhimin e situatës me krizën energjetike.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku

Ajo bëri me dije se do të ketë ndërpreje të energjisë në disa akse kombëtare të ndërthura me degëzime.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore