Lajme

E krahasoi me “kaun”, Erdogan: Gazetarja nuk do mbetet pa ndëshkim


Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, është zotuar se gazetarja e njohur televizive nuk do të mbetet “e pandëshkuar”, pasi ajo u arrestua për gjoja fyerje ndaj tij.

Situata aspak e zakontë, është krijuar, pasi Kabas ka përdorur një fjalë të urtë turke për të përshkruar Erdogan-in.

“Kur kau futet në pallatin mbretëror, nuk bëhet mbret. Por, pallati bëhet një stallë”.

Policia e ndaloi Sedef Kabas në shtëpinë e saj në orën dy të mëngjesit të së shtunës, vetëm disa orë pasi ajo transmetoi komentet dhe, më pas, i postoi ato në Twitter.

Ajo u arrestua zyrtarisht, pasi doli në gjykatë.

“Kjo shkelje nuk do të mbetet e pandëshkuar”, tha Erdogan në një intervistë të transmetuar në kanalin televiziv privat NTV.

“Është detyra jonë të mbrojmë respektin e funksionit tim, të presidencës”, tha ai. “Kjo nuk ka të bëjë me lirinë e shprehjes”.

Grupet e të drejtave të njeriut e akuzojnë vazhdimisht Turqinë për minimin e lirisë së medias, duke arrestuar gazetarë dhe duke mbyllur media kritike, veçanërisht pasi Erdogan i mbijetoi një grusht shteti të dështuar në korrik 2016.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore