Sport

Dzeko pritet ta vazhdojë karrierën në Turqi


Sulmuesi i Inter-it, Edin Dzeko, pritet të startojë në finalen e Ligës së Kampionëve, por kjo mund të jetë ndeshja e tij e fundit për klubin pasi Fenerbahce thuhet se ka bërë një ofertë të madhe për të.

Qendërsulmuesi mendohet se do të udhëheqë sulmin kundër Manchester City-t në stadiumin “Ataturk” në Stamboll të shtunën në mbrëmje.

Kontrata e tij zgjat deri më 30 qershor dhe ende nuk është rënë dakord për një marrëveshje të re, por paraqitjet e tij këtë sezon kanë tërhequr interes edhe nga ekipe jashtë Serie A.

Sipas gazetës “La Repubblica”, Fenerbahce i ka ofruar Dzeko-s një kontratë dyvjeçare me vlerë 4 milionë euro neto për sezon, kushte shumë më të mira sesa zikaltrit që janë të gatshëm t’i japin atij.

Duke parë se gjithsesi do të ishte në Stamboll për finalen e Ligës së Kampionëve, boshnjaku mund të nënshkruajë edhe kontratën atje përpara pushimeve të tij verore.

Dzeko mbushi 37 vjeç në mars dhe ka shënuar 14 gola me pesë asistime në 51 ndeshje konkurruese deri më tani këtë sezon.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore