Lajme

Dyshohet se e keqpërdori pozitën zyrtare, kallëzim penal ndaj Kusari-Lilës


Ish kryetarja e Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila.

Prokuroria Themelore në Gjakovë, ka kërkuar nga Njësiti për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit të Policisë së Gjakovës, që të ndërmarrë veprime hetimore, pas kallëzimit penal që ka ushtruar Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ndaj ish kryetares së Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila.

Përmes një kallëzimi penal të cilin e ka siguruar “Betimi për Drejtësi”, AAK-ja po pretendon se Kusari-Lila e ka keqpërdorur detyrën zyrtare në kohën sa ka qenë në krye të Komunës së Gjakovës.

Këtë e ka bërë të ditur zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Yllka Shehu.

“Pas pranimit të kallëzimit penal të parashtruar nga partia politike, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, dega në Gjakovë, me datë 04 nëntor 2021, Prokuroria Themelore në Gjakovë, Departamenti i Krimeve të Rënda, më 30 nëntor 2021, ka bërë kërkesë për ndërmarrjen e veprimeve të caktuara hetimore, Stacionit Policor në Gjakovë, Njësitit të Hetimeve të Krimeve Ekonomike.”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë.

Prokuroria Themelore në Gjakovë

Prokuroria ka deklaruar se nga ana e Policisë ende nuk kanë pranuar raportin me informatat e kërkuara nga prokurori i çështjes.

Sipas kallëzimit penal me vendimin e 25 marsit 2014, Kuvendi i Komunës së Gjakovës kishte marrë vendim për shpalljen e interesit publik për pronat private në dobi të Komunës së Gjakovës, për realizimin e projektit të rrethrrotullimit, në kryqëzimin e rrugëve “Tirana” dhe “Skënderbeu”, në parcelat e evidentuara në emër të familjes Bakija”.

Tutje në këtë kallëzim penal thuhet se, Kusari-Lila duke qenë në cilësinë e kryetares së Komunës së Gjakovës, ka arritur marrëveshje me familjen Bakija edhe pse jo në formë të shkruar, por se në bazë të dokumentacionit vërtetohet një gjë e tillë.

Kompromisi është arritur për zhvendosjen e rrethrrotullimit, me ç’rast është krijuar hapësira e konsiderueshme në favor për familjen Bakija, respektivisht është shtuar sipërfaqja prej 930 metra katrorë.

Konfirmimin e këtij propozimi në fjalë, sipas kallëzimit penal ish-kryetarja e ka vërtetuar edhe përmes kërkesës zyrtare të 17 qershorit 2015, drejtuar Ministrisë së Infrastrukturës, përkatësisht ish-ministrit Lutfi Zharku.

AAK-ja i ka propozuar prokurorisë që të merret aktvendim për fillim të hetimeve për këtë rast.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore