Lajme

Dy të mitur sulmohen në Veri


Policia ne Veri.

Të enjten e 23 dhjetorit, dy të mitur kanë pranuar tretman mjekësor në Mitrovicë të Veriut pasi janë sulmuar nga disa qytetarë të nacionalitetit serb.

Lajmi është konfirmuar nga raporti i Policisë së Kosovës, ku thuhet se rasti ka ndodhur rreth orës 16:00,

“Lidhur me rastin është raportuar se dy viktima meshkuj kosovarë të mitur, kanë pranuar tretman mjekësor, pasi që sipas tyre janë sulmuar nga disa qytetar të nacionalit serb”, thuhet në raport.

Tutje bëhet e ditur se njësitet policore janë duke kryer hetime në lidhje me rastin.

Më 22 dhjetor, Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, kishte njoftuar në konferencë për media se një 14 vjeçar është sulmuar nga grupet kriminale në Veri të vendit.

Ilustrim

Sveçla ka treguar se i mituri ka “lëndime trupore dhe është dërguar për tretman mjekësor”.

“Rreth orës 14:00, një 14 vjeçar, banor i “Kroit të Vitakut”, është sulmuar nga grupet kriminele duke shkuar në lagjen ku banon”, njoftoi ai.

Ministri theksoi se Policia e Kosovës është e angazhuar maksimalisht në zbardhjen e këtij rasti dhe njëkohësisht lëshoi një paralajmërim për “të gjithë ata kriminelë”.

Janë bërë dy javë që nga vendosja e barrikadave në Veri, me vendosjen e tyre praktikisht gjithçka u bllokua, meqë edhe pikat kufitare në Jarninjë dhe Bërnjakë janë mbyllur.

Gjatë këtyre ditëve sulme të shumta ka pasur edhe ndaj gazetarëve të cilët kanë raportuar nga vendi i ngjarjes.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore