Lajme

Dy shtete të treta ofrojnë garanci për Thaçin


Hashim Thaçi, themeluesi i UÇK-së, ish-kryeministër dhe ish-president i Kosovës, gjatë seancës së parë në Gjykatën Speciale në Hagë

Janë dy shtetet të treta, ashtu siç kërkohet nga Gjykata, që ofrojnë garanci për lirimin e përkohshëm të ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe vazhdimin e gjykimit nga qëndrimi në njërën nga këto dy shtete.

Këtë e ka bërë të ditur para gjykatës mbrojtja e Thaçit, përmes parashtresës që i është drejtuar gjykatësit paraprak.

Garancitë që ka ofruar mbrojtja janë me shkrim nga Qeveritë – njëra qeveri kishte dhënë garancinë qysh me pesë maj, kurse tjetra me 14 qershor.

“Të dy shtetet e treta garantojnë që të bashkëpunojnë plotësisht për të siguruar kthimin e Thaçit, ashtu si dhe kur kërkohet nga Dhomat e Specializuara”.

Mbrojtja argumenton se këto garanci janë të mjaftueshme për të adresuar rrezikun e arratisjes dhe pengesave që Prokuroria dyshon se Thaci mund t’i bëjë me ndikimin e tij.

Një nga këto qeveri, të cilat nuk bëhen të ditura, mund të jetë ajo e Sllovenisë.

Siç pati raportuar Albanian Post me 12 korrik Thaçi kishte kërkuar që në vazhdim të gjykimit të tij nga Gjykata Speciale në Hagë, ku po akuzohet për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në luftën e fundit në Kosovë – të mbrohet nga arresti shtëpiak dhe – meqë kërkohet një vend i tretë për të qëndruar – ai kishte zgjedhur Slloveninë.

Kështu raportonte mediumi slloven Necenzurirano në një shkrim ku flitet në detaje për procesin e ekstradimit të Thaçit në Slloveni, për ta vazhduar mbrojtjen nga arresti shtëpiak.

“Ky informacion na është konfirmuar nga disa burime brenda Sllovenisë dhe jashtë saj po ashtu”, shkruajnë Primosh Cirman dhe Tomas Modic, dy gazetarët që kanë publikuar artikullin në mediumin investigativ Necenzurirano.

Nga Specialja ende nuk janë deklaruar për këtë çështje, por dokumentet e Gjykatës që janë publikë, tregojnë se Thaçi kishte kërkuar lirim me kusht në dhjetor të vitit të kaluar.

Dokumentet e gjykatës megjithatë nuk tregojnë se cili është vendi i kërkuar nga Thaçi, por mediumi slloven shkruante se kanë informacione që përzgjedhja e parë e ish-themeluesit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është Sllovenia.

Madje, në artikull thuhet se Thaçi ka kontaktuar edhe me njerëz brenda qeverisë sllovene për të parë mundësinë e dërgimit të tij në Slloveni dhe për t’u siguruar se qeveria sllovene do të bëhet garant, duke siguruar gjykatën se “Thaçi nuk do ta lërë territorin slloven gjatë kohës sa gjykohet”.

Dokumentet publike të gjykatës tregojnë se gjykata në Hage ia kishte refuzuar kërkesën për mbrojtje nga arresti shtëpiak Thaçit. Kjo kishte ndodhur në janar të këtij viti, meqë ishte arsyetuar se Thaçi mund ta shfrytëzojë rastin për të ikur, dhe gjithashtu gjykata kishte pasur frikë se Thaçi mund të ndikojë te dëshmitarët. Sipas gjyqtarëve, Thaçi mund ta ushtrojë këtë ndikim edhe po që se mbahet në një shtet të tretë.

Por, gjykata mund t’i bëjë një rivlerësim kërkesë së Thaçit, meqë një nga gjyqtarët, gjermani Kai Ambos, në një opinion të tij ka shkruar se duhet “konsideruar seriozisht”, kërkesa e Thaçit “nëse ai merr ndonjë ofertë nga ndonjë vend i tretë si garantues për të”.

Ai shkruante se “një ofertë e tillë do të ishte një argument i fortë për Thaçin”, derisa shtonte se “Thaçi është i bindur se do të mundet ta sigurojë këtë mbështetje nga një vend i tretë”.

Miratohen pjesërisht mocionet e mbrojtjes

Nicolas Guillou, gjykatësi i procedurës paraprake në Gjykatën Speciale, ka miratuar pjesërisht mocionet e mbrojtjes së Hashim Thaçit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit kundër formës së aktakuzës.

Në faqen zyrtare të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, gjykatësi ka urdhëruar Zyrën e Prokurorit të Specializuar që deri më 3 shtator të dorëzojë një version të korrigjuar të aktakuzës së konfirmuar në pajtim me vendimin.

Ndërsa, pjesët e tjera të mocioneve të Thaçit, Selimit e Krasniqit janë hedhur poshtë, kurse mocioni i ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veselit, është hedhur poshtë tërësisht.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

Sipas akuzës së ngritur, së paku midis marsit 1998 deri në shtator 1999, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi dhe anëtarë të tjerë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët kishin qëllimin e përbashkët për të siguruar dhe ushtruar kontroll mbi të gjithë Kosovën përmes metodave që përfshinin frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e paligjshëm të atyre që konsideroheshin si kundërshtarë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore