Lajme

Dy policë sulmohen në Graçanicë, arrestohen dy persona


Policia e Kosovës.

Dy zyrtarë policorë janë sulmuar në Graçanicë nga dy persona derisa kanë qenë në kryerje të detyrës.

Lajmi është bërë i ditur përmes raportit të 24 orësh të policisë së Kosovës.

“Janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj kosovarë për shkak se i kanë penguar dhe sulmuar fizikisht dy zyrtarë policor derisa kanë qenë në kryerje të detyrës zyrtare, ku si pasojë dy zyrtarët policorë kanë pësuar lëndime trupore dhe kanë pranuar tretman mjekësor”.

Të dyshuarve u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë, teksa rasti vazhdon të jetë në hetime.

“Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë relevante policore dhe prokurori kujdestar i cili ndaj të dyshuarve ka caktuar masën e ndalimit për 48 orë dhe nën mbikëqyrjen e njësitit policor kompetent kanë pranuar tretman mjekësor. Rasti nën hetime”, thuhet në raportin e Policisë.

Policia e Kosovës. Foto: Albanian Post.

Më 2 prill, Policia e Kosovës ishte sulmuar me mjet shpërthyes në Veri, bazuar në informacionet e para dyshohej se mjeti shpërthyes ishte shok bombë, ndërsa njësitet kompetente policore kishin dalur në vendin e ngjarjes dhe kishin kryer procedurat e nevojshme.

Lidhur me rastin ishte njoftuar edhe Prokurori i Shtetit i cili kishte urdhëruar inicimin e rastit si “Sulm ndaj personit zyrtar” dhe hetimet intensive për zbardhjen e këtij rasti janë në procesin e sipërm.

As pas 24-viteve shteti i Kosovës nuk ka arritur t’ua sigurojë policëve sigurimin shëndetësor. Pos kësaj, Qeveria e tanishme ua ka ndalur edhe pagesat për rrezikshmëri.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore