Lajme

24-vjetori i policisë, shteti i lë pa sigurime shëndetësore dhe shtesa për rrezikshmëri


As pas 24-viteve shteti i Kosovës nuk ka arritur t’ua sigurojë policëve sigurimin shëndetësor. Pos kësaj, Qeveria e tanishme ua ka ndalur edhe pagesat për rrezikshmëri.

Ndërsa për shkak të kushteve jo të mira, rreth 50 pjesëtarë të policisë së Kosovës kanë dhënë dorëheqje vullnetare gjatë këtij viti.

Kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri, ka përsëritur kërkesën që policët të kenë sigurim shëndetësor e jetësor.

“Kur jemi të kërkesat e Policisë së Kosovës e që janë adresuar përmes sindikatës së policisë së Kosovës këto kërkesa kanë qenë të kahershme dhe vazhdojnë të jenë prapë të përhershme të gjitha ato që nuk janë realizuar.

Ai ka theksuar se kjo ka qenë kërkese e kahershme e Sindikatës së Policisë së Kosovës dhe vazhdon të jetë dhe që ende nuk ka ndonjë përgjigje konkrete nga as një Qeveri deri më tani.

Ndërsa drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka thënë se qytetarët në vend nuk kanë nevojë të ndihen të frikësuar, përveç atyre që janë në kundërshtim me ligjin.

“Nuk ka nevojë që të frikësohen nga PK-ja askush, përveç atyre që janë në kundërshtim me ligjin. Këto pajisje do të përdoren për ata që bëjnë keq edhe që janë në kundërshtim me ligjin të dalin para drejtësisë dhe ta marrin dënimin e merituar”, tha ai.

Policia e Kosovës, të mërkurën ka shënuar 24 vjetorin me ç’rast në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë janë ekspozuar njësitet dhe pajisjet policore.

Kjo është bërë me qëllim që qytetarët e Kosovës, të njoftoheshin për funksionin dhe rëndësinë e tyre ndërsa përfshinin armë, robotikë, automjete, autoblinda, motorë dhe pajisje të forenzikës.

I pranishëm ka qenë ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, teksa shumë fëmijë kanë shprehur interesimi për pajisje të ndryshme, të cilët po ashtu shprehën dëshirën e tyre të madhe që në të ardhmen të bëhen pjesë e Policisë së Kosovës, siç thonë ata “për t’i shërbyer vendit”.

Ndryshe, që nga përfundimi i luftës së fundit, 19 zyrtarë të Policisë kanë humbur jetën në detyrë.

Rasti i parë është regjistruar në shtator të vitit 2001.

Me legjislacionin në fuqi, e drejta e kompensimit nga buxheti i shtetit u takon dy kategorive: familjarëve të zyrtarëve policorë që vdesin në detyrë dhe atyre në kryerje të detyrës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore