Lajme

Dy drejtorë në Polici shkarkohen pas rastit të 11-vjeçares


Policia e Kosovës.

Drejtori i Policisë Rajonale në Prishtinë, Fahredin Verbovci dhe drejtori për Operativë Rajonale të Prishtinës, Shkelzen Xhafa janë shkarkuar pas rastit të dhunimit të 11-vjeçares.

Pas rastit të fundit dorëheqje ka dhënë edhe drejtori i i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti dhe Drejtori i Drejtoratit për Trajtimin e të Burgosurve dhe të Miturve.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përmes një njoftimi në rrjetin e tij social në Facebook, pas rastit të dhunimit të 11 vjeçares pak ditë më parë në Kosovë ka kërkuar dorëheqjen edhe të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Sipas tij për këtë rast nuk mjaftojnë dy dorëheqje.

“Në Policinë e Kosovës janë marrë masa e veprime. Janë shkarkuar zyrtarë të lartë: Drejtori i Policisë Rajonale në Prishtinë dhe Drejtori për Operativë në Drejtorinë Rajonale të Prishtinës. E Drejtori i Përgjithshëm ka ofruar dorëheqje”, ka shkruar Kurti në rrjetin e tij social në Facebook.

“Në Shërbimin Korrektues të Kosovës ka dhënë dorëheqje Drejtori i Drejtoratit për Trajtimin e të Burgosurve dhe të Miturve, si akt moral, pasi që njëri nga të dyshuarit për dhunim ka qenë në mbajtje të dënimit në institucione korrektuese për disa vepra penale”, ka shtuar ai.

I pari i ekzekutivit ka pyetur se ku është morali i gjyqtarëve e prokurorëve për këtë rast?

Sipas tij aktakuza jo të fuqishme të prokurorëve po mundësojnë që dhunuesit shpesh të mos ndëshkohen.

“Gjykatat nuk i gjykojnë rastet e dhunimeve në përputhje me ligjet në fuqi, që parashohin dënime prej më së paku 10 vitesh për dhunë seksuale ndaj personit nën moshën 14 vjeç”.

Sipas Kurtit kanë kaluar tre ditë ndërsa Këshilli Gjyqësor dhe Këshilli Prokurorial i Kosovës nuk kanë dhënë asnjë fjalë lidhur me veprimet që do të ndërmarrin pas rastit të dhunimit të 11 vjeçares.

“Është bërë kohë e gjatë me drejtësi selektive e të pabarabartë, barra e rëndë e së cilës bie mbi supet e viktimave, kryesisht gra dhe vajza. Mosndëshkueshmëria ndaj dhunuesve, e edhe ndaj atyre që po i sjellin këto vendime, është e papranueshme. Shoqëria dhe shteti ynë, nuk mund të bartin koston e mospunës dhe papërgjegjësisë së prokurorëve e gjyqtarëve”.

11-vjeçarja u raportua se ishte dhunuar në Prishtinë nga 5 burra për 7 orë. Për rastin e saj kanë reaguar qytetarë, aktivistë, figura të njohura e politikanë.

Ndërkaq të mërkurën është protestuar në Prishtinë nga mijëra qytetarë edhe të enjten është mbajtur një protestë e ngjashme.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore