Shqipëria

Dy dekada nga 11 shtatori, Basha: Mbrojmë vlerat me miqtë tanë amerikanë


Dy dekada më parë, një sulm i tmerrshëm terrorist do të godiste zemrën e New York-ut, World Trade Center, në atë që do të mbahet si 9/11, ose tragjedia e 11 shtatorit 2001 në SHBA.

Për këtë çast historik, kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka përkujtuar ngjarjen dhe ka mbajtur qëndrimin e plotë krah partnerëve amerikanë në luftën kundër terrorizmit.

“Dy dekada më parë, bota u trondit nga sulmet terroriste të 11 shtatorit jo thjesht ndaj SHBA, por ndaj vlerave të lirisë, demokracisë dhe bashkëjetesës”.

Kështu e nis Basha postimin e tij, duke vijuar se i bashkohet përkujtimit të viktimave të terrorizmit.

Kryedemokrati thekson se ai qëndron krah partnerit strategjik, SHBA-ve. Kjo, jo vetëm në luftë ndaj terrorizmit. Por edhe në mbrojtje të vlerave që i bashkojnë amerikanët dhe shqiptarët në këtë aleancë.

Një miqësi e veçantë, midis kombeve, sipas Bashës.

2 mijë e 996 persona mbetën të vrarë në sulmet e 11 shtatorit. Mbi 25 mijë të tjerë, u plagosën. Prej asaj dite, bota ndryshoi tërësisht rrjedhën e saj historike.

Lindja dhe Perëndimi, panë një nga ndarjet më të mëdha, e cila ende vijon.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore