Shqipëria

Durrës, arrestohet juristi i Kadastrës dhe tre persona të tjerë


Juristi i Kadastrës së Durrësit, M.Z., së bashku me I.F., 62 vjeç, lindur dhe banues në Fier, G. A., 36 vjeç, lindur dhe banues në Plepa Durrës, janë arrestuar të mërkurën nga Policia e Shtetit, si pjesë e operacionit policor të koduar “Mbikalimi”. Gjithashtu, si pjesë e operacionit është marrë masa e sigurisë “arrest shtëpie” për shtetasin R. H.

Arrestimi i tyre ka ardhur me kërkesë të Prokurorisë, pasi dyshohet se kanë aplikuar dhe regjistruar me dokumente të falsifikuara në hipotekën e Durrësit, një pasuri të paluajtshme 2 mijë metër katrorë tokë truall dhe mbi të 550 metër katror ndërtesë, në zonën bregdetare në fshatin Vrinjë, Njësia Administrative Rrashbull, rrethi Durrës.

Pasuria është regjistruar në kadastër me dokumente të falsifikuara, në emër të shtetasve E. A dhe R. H.

Për regjistrimin e kësaj pasurie në zonën bregdetare Durrës, Policia njofton se janë hartuar me fotoshop, përdorur dhe depozituar dokumente të falsifikuara të lejes së legalizimit për objektin me një sipërfaqe ndërtimi 550 metër katrorë dhe sipërfaqe trualli 2 mijë metër katror.

Nuk është hera e parë që juristi bie në prangat e policisë. M.Z. është arrestuar edhe në tetor të vitit 2019, gjatë operacionit “Rodoni”.

Juristi, së bashku me disa ish-zyrtarë e zyrtarë të ish-Hipotekës dhe Kadastrës Durrës, në atë periudhë kohe, u proceduan nga autoritetet për tjetërsimin e 68 mijë metër katrorë tokë në zonën bregdetare.

Ky i fundit u akuzua për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore