Shqipëria

Dumani u përgjigjet me një letër familjarëve që kërkojnë që ‘21 janarin’ ta marrë në dorë SPAK-u


Altin Dumani, kreu Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, i ka dërguar një letër familjes së Aleks Nikës.

Në letër, kreu i SPAK-ut i argumenton familjet arsyet pse dosja i përket për hetime Prokurorisë së Tiranës.

Sipas tij, nëse do të ketë element të tjerë, atëherë hetimet do të kryen nga SPAK-u.

“Për këtë arsye, referuar nenit 75/a, 76 dhe 28 te K.Pr.Penale ju përcjellim për kompetencë lëndore materialin kallëzues me nr. K.137 prot., date 16.02.2023, me qëllim vlerësimi nga ana juaj”, shkruhet në të.

Gjithashtu letra vazhdon se, “nëse në vijim të verifikimeve apo hetimeve, do të konstatohet ekzistenca e ndonjë vepre penale apo subjekt në kompetencë hetimi sipas nenit 75/a të Kodit të Procedurës Penale, atëherë aktet e procedimit penal të dërgohen për kompetencë lëndore në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, referuar dhe nenit 28 të Kodit të Procedurës Penale”.

Letra e tij vjen pasi SPAK-u ka shpallur moskompetencë lidhur me kallëzimet penale të bëra nga Ministria e Drejtësisë dhe Partia Socialiste, sa i takon provave të reja lidhur me protestën e 21 janarit 2011, ku katër persona mbetën të vrarë në bulevard, përballë Kryeministrisë

Më 23 janar 2023, ishte ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, ai i cili dorëzoi në SPAK kallëzimin për ish-kryeministrin, Sali Berisha dhe ish-ministrin e Brendshëm, Lulzim Basha, së bashku me ish-komandantin e Gardës, Ndrea Prendi, të cilët akuzohen se janë orkestrues të vrasjes së katër protestuesve të pafajshëm në bulevard.

“Është ora që SPAK të bëjë drejtësi për 21 janarin, i cili nuk është hetuar asnjë ditë si vrasje shtetërore”.

Kështu deklaroi më herët zyrtari shqiptar, i cili iu referua transkripteve të publikuara të një komunikimit radio gjatë ngjarjeve të 21 janarit, ku citohej gatishmëria për zjarr.

Dy ditë më pas, do të ishte Partia Socialiste, ajo e cila do të dorëzonte një kallëzim të ngjashëm, ku të akuzuar ishin sërish të njëjtët.

Kallëzimin e bëri drejtpërdrejt Sekretari i Përgjithshëm i të majtëve, Damian Gjiknuri, i cili theksoi se urdhëruesit e vrasjeve, kanë qenë Berisha dhe Basha.

Përfaqësuesi i lartë i socialistëve theksoi se prova e re publike (transkriptet e një regjistrimi) përmban të dhëna mbi fakte të reja që nuk i janë nënshtruar hetimeve.

“Përfshirja e Bashës në komunikimin me radio e vërteton rolin e tij dhe se ka qenë nën urdhrat e Sali Berishës”.

Sipas tij, faktohet me audio se vrasjet janë kryer në mënyrë të drejtpërdrejtë.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore