Shqipëria

Duhet të bëhet gjithçka për integrimin në BE së bashku me Kosovën, thotë Tabaku


Për deputetet e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, duhet të bëhet gjithçka për synimet e Shqipërisë dhe Kosovës drejt integrimit në Bashkimin Evropian.

“Ne si Shqipëri duhet të bëjmë gjithçka, përtej fjalëve dhe premtimeve, për të çuar përpara së bashku me Kosovën qëllimet e saj dhe tonat për integrimin në BE”, ka shkruar ajo në Facebook.

“Kosova nuk ka pse mbetet e izoluar si një ishull”, ka ravijëzuar ajo.

Dhe se liberalizimi i vizave nuk ka më “asnjë arsye” për të mos u aplikuar mbi Kosovën njësoj siç është aplikuar mbi vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.

“Fryma dhe besimi i qytetarëve të Kosovës është tërësisht pro vlerave të BE-së dhe nuk ka asnjë arsye objektive për të ndaluar procesin e integrimit euro-atlantik”, vijon deputetja.

Ajo e ka theksuar këtë pikëpamje edhe më shumë me historinë e Saranda Bogujevcit.

Sipas Tabakut, ajo nuk do ta kishte menduar kurrë se do të fliste në emër të Kosovës për herë të parë në Këshillin e Evropës dy dekada më parë.

“Nuk do ta kishte besuar asnjëherë se 20 vite pas tmerrit të masakrës në Kosovë nga forcat e nacionalizmit shovinist, të cilës tetë anëtarë të familjes së saj nuk do t’i mbijetonin, ajo do të fliste për vuajtjen që i kujtonte lufta sot në Ukrainë”, ka shkruar Tabaku.

Për të, historia e Sarandës duhet të jetë një sinjal për Bashkimin Evropian që të mos harrojë angazhimin për të vazhduar zgjerimin dhe mbi të gjitha për të mbështetur zhvillimin e një shteti të ri me histori të trishtë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore