Vende

Dubrovniku ndalon valixhet me rrota për shkak të zhurmës


Vizitorët që do të udhëtojnë këtë verë drejt Dubrovnikut duhet t’i bëjnë mirë llogaritë me bagazhet e tyre, pasi qyteti bregdetar ka marrë një masë të pazakontë.

Kryebashkiaku i qytetit të Dubrovnikut, Mato Frankovic, ka vendosur të ndalojë valixhet me rrota për shkak të zhurmës që bëjnë në rrugët e këtij qyteti të vjetër.

Kjo do të thotë se nga kjo verë, të gjitha valixhet që do të barten nga turistët në këtë qytet, nuk do të kenë rrota.

Lajmi u bë i ditur nga faqja “SchengenVisaInfo”.

Kjo masë vjen si pjesë e programit “Respekto qytetin”, të prezantuar nga Zyra Turistike e Dubrovnikut.

Një vendim të ngjashëm morën autoritetet e qytetit të Venezia-s në vitin 2017 duke u thënë “jo” valixheve me rrota.

Zyrtarët e qytetit italian u shprehën asokohe se zhurma nga valixhet me rrota të forta dhe tregtarët që përdornin karrocat po shkaktonin “shqetësim serioz”.

Kishte gjithashtu shqetësime për “përkeqësimin progresiv” të shkallëve historike të mermerit, shtigjeve prej guri dhe urave për këmbësorë rreth kanaleve të vjetra të Venezia-s.

Dubrovniku është ndër destinacionet më të famshme për turistët jo vetëm në Kroaci, por edhe në Evropë.

“Që nga fillimi i vitit, Dubrovniku ka regjistruar 289 mijë ardhje dhe 763 mijë e 500 natëqëndrime, që është 32 për qind më shumë se e njëjta periudhë e vitit 2022”, zbulon Dubrovnik Times.

Autoritetet e Dubrovnikut kanë propozuar gjithashtu disa kufizime si pjesë e përpjekjeve për të ndihmuar më tej zhvillimin e sektorit të turizmit.

Kroacia ka forcuar përpjekjet për të sjellë në vend një numër të madh vizitorësh ndërkombëtarë, dhe kështu të ndihmojë ekonominë e vendit të rritet më tej.

Bërja e vendit më të ri të Zonës Shengen kontribuoi ndjeshëm gjithashtu në rritjen e numrit të ardhjeve ndërkombëtare në këtë vend ballkanik.

Shifrat e TotalCroatiaNews zbuluan se sektori i akomodimit në këtë vend ka regjistruar pagesa të faturave në vlerë totale prej 171 milionë euro muajin e kaluar, duke treguar se ka një trend pozitiv në këtë vend ballkanik.

Sa i përket qarkullimit, edhe industria e mikpritjes përjetoi një rritje të konsiderueshme prej më shumë se 290 milionë euro në maj të këtij viti, që përbën një rritje prej rreth 30 për qind krahasuar me xhiron prej rreth 224 milionë euro të regjistruar në maj të vitit të kaluar.

Njëkohësisht, u theksua se norma vjetore e inflacionit u ul me tetë për qind, si dhe rënia e çmimeve të energjisë elektrike me tre për qind, ndërsa kategoria e ushqimeve, ndër të tjera, vazhdon të jetë me rritje vjetore dyshifrore prej 13.5 për qind.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore