Lajme

Dronët që dyshohet se i bleu Serbia nga Irani “mund ta copëtojnë” Ballkanin Perëndimor, paralajmëron eksperti


Ilustrim

Fuad Shahbazov, njohës i çështjeve të sigurisë rajonale, në një artikull autorial të botuar në “Gulf International Forum (GIF)” të hënën, shkroi se bashkëpunimi midis Serbisë dhe Iranit në fushën e eksportit të armëve është sinjal se Irani është i gatshëm të shfrytëzojë ndjeshmërinë e Ballkanit Perëndimor për të rritur ndikimin në këtë pjesë të kontinentit evropian.

Në bazë të të dhënave të Qeverisë së Iranit, rreth 22 vende kanë paraqitur kërkesë për të blerë dronët iranianë, përfshirë Serbinë. Shahbazov shkroi se kërkesa e Serbisë për blerjen e dronëve erdhi në mes të tensioneve në rritje në Kosovë, ndërsa paralajmëroi se rajoni mund të përballet me një “përshkallëzim vdekjeprurës” nëse përdoren dronët kamikaze të Iranit.

“Irani është angazhuar në rajone të brishta anembanë dhe është përpjekur të tregtojë produkte në Ballkan – një nga rajonet më të paqëndrueshme në Evropë. Ballkani mund të përballet me një valë vdekjeprurëse të përshkallëzimit me hyrjen e dronëve iranianë në tregun lokal të armëve”, shkroi ai në artikullin: “Dronët e Iranit mund ta copëtojnë Ballkanin”.

Në radhë të parë, ekzekutivi në Tehran dëshiron të frenojë ndikimin turk, izraelit dhe perëndimor dhe të shfaqet sikur një furnizues kryesor i dronëve, duke ndihmuar në sjelljen e valutës së huaj dhe sigurimin e stabilitetit të brendshëm ekonomik, sipas eksperit të sigurisë, derisa mund të zgjerojë hapësirën e luftës përtej skenës tradicionale të Lindjes së Mesme.

“Perëndimi duhet urgjentisht të rigjallëroj qasjen ndaj rajonit të paqëndrueshëm të Ballkanit Perëndimor për të parandaluar ngurtësimin e kampeve pro-iraniane dhe pro-ruse dhe për të shmangur katastrofën humanitare – dhe efektin e mundshëm të përhapjes – që mund të ndodhë si rezultat i një ofensive ushtarake serbe kundër Kosovës”, shtoi Shahbazov.

Vlenë të përmendet edhe blerja e dronëve kamikaze të prodhimit turk “Bayraktar (Flamurtar) TB-2” nga Kosova – nuk dihet asgjë për numrin apo çmimin – dhe gjithashtu sistemi anti-tank amerikan “Javelin” në një kohë kur tensionet midis Kosovës dhe Serbisë arritën në nivele shpërthyese, posaçërisht pas përshkallëzimit të situatës në veriun e Kosovës.

“The Defense Post”: Serbia do të rrisë shpenzimet e mbrojtjes, synon t’i ndjek investimet e sofistikuara të Kosovës

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore