Kosova

Dreçun: Të zbatohet Asociacioni, nuk kemi kohë për propozime të reja


Milovan Dreçun

Për kryetarin e të ashtuquajturës “komision për Kosovën” në qeverinë serbe, Milovan Dreçun, Kosova duhet të implementojë Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, i cili është derivat i Marrëveshjes së Brukselit, e assesi të mos tentojë të ofrojë alternativa të reja lidhur me këtë çështje.

Deklarimi i tij vjen pasi që Raportuesja për Kosovës në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, kishte thënë një ditë më parë se Qeveria e Kosovës ka një propozim për zbatimin e marrëveshjes së Asociacionit, të cilën e ka cilësuar si lëvizje të mirë në këtë çështje.

“Jemi në fazën kur duhet të miratohet statuti i Asociacionit, është e qartë se Kosova nuk dëshiron këtë dhe nuk e di pse Von Cramon, po ndërhynë në këtë çështje, ajo nuk është pjesëmarrëse në procesin e dialogut”, ka thënë Dreçun.

Sipas tij në gjithë këtë mes, është Albin Kurti, ai i cili refuzon zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit.

“Ai e anuloi marrëveshjen e Brukselit, nuk do diskutim për Asociacionin, dëshiron të ridrejtojë dialogun në drejtimin e njohjes reciproke, e cila nuk është e pranueshme për Beogradin”, ka shtuar ai.

Albin Kurti, në një konferencë për media

Ndryshe të mërkurën, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një konferencë për media, duke folur për Asociacionin deklaroi se “Kosova e ka asociacionin e komunave dhe besoni që, mua si kryeministër, mjaft po më del ky asociacion ekzistues”.

Gjatë konferencës, i pyetur rreth zërave të fundit se, tashmë ekziston një plan për Asociacionin dhe madje është propozuar nga vetë Qeveria e Kurtit, ai komentoi se “unë nuk jam në dijeni si kryeministër për ndonjë farë plani për asociacionin e komunave me shumicë serbe”.

Sipas tij, “kjo çështje është trajtuar shumë herë dhe nuk besoj se mund t’i shtoj diçka të re”.

Kurti ka përsëritur se “kushtetutshmëria në Kosovë nuk toleron asociacionin mbi baza etnike”.

Prandaj, ai “mund të jetë mbi baza zhvillimore, por jo mbi baza etnike”.

“Po i pyetëm edhe qytetarët, askush nuk e ka prioritet një asociacion të tillë. Të gjithë duan vende pune, shkollim, drejtësi dhe luftim të korrupsionit”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore