Lajme

Drecun: S’ulemi në tavolinën e bisedimeve në Bruksel, nëse s’lejohet mbajtja e zgjedhjeve në Kosovë


Milovan Drecun

Për kryetarin e Komisionit të ashtuquajtur “për Kosovën” në Kuvendin e Serbisë, Millovan Dreçun, nëse Kosova nuk heq dorë nga synimi i saj për të mos lejuar mbajtjen e zgjedhje të përgjithshme të Serbisë në territorin e saj, atëherë është e vështirë të flitet për vazhdimin e dialogut me Kosovën.

“E drejta themelore demokratike është që njerëzit të votojnë, të votojnë dhe të zgjidhen. Shtetet e Bashkuara duhet ta kishin detyruar Prishtinën të sillet në mënyrë racionale gjatë referendumit. Tani është e vështirë për Kurtin të heqë dorë nga synimi i tij për të penguar zgjedhjet”, ka thënë Dreçun për Radio Televizionin serb, RTS.

Sipas Dreçun vizita e top-diplomatëve euro-amerikane në Kosovë dhe Serbi vetëm sa ka shtuar paqartësinë për formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë.

“Rezultati kryesor i Lajçakut dhe Escobarit është që të rritet edhe më shumë paqartësia, sepse Escobar nga njëra anë flet për mbrojtjen e Deçanit, respektimin e të drejtës së votës dhe formimit të Asociacionit dhe më pas propozon bisedime të reja për modalitete të Asociacioni.

“BE-ja duhet të jetë neutrale ndaj statusit të Kosovës dhe marrëveshja e parë e Brukselit duhet të zbatohet. Modeli për Asociacion ekziston dhe nuk duhet kërkuar ndonjë i ri”, ka shtuar ai.

Ndryshe Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi, përmes një njoftimi në Twitter, ka potencuar faktin se serbët e Kosovës me të drejtë vote në Serbi duhet të marrin pjesë në zgjedhjet e përgjithshme të prillit atje.

“SHBA-të mbështesin masat e duhura për ta realizuar këtë në atë mënyrë që procesi i votimit të jetë i lehtësuar”, thuhet nga ambasada amerikane në Serbi.

Ambasada këtë qëndrim të saj ka bërë të ditur pas takimit që i dërguari special i SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak kanë pasur me drejtorin e së ashtuquajturës “zyrë për Kosovën” në Serbi, Petar Petkoviç.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore