Kosova

Draft-statuti i Asociacionit parasheh autonomi të zgjeruar për komunitetin serb, thotë Abdixhiku


Lumir Abdixhiku

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se është në dijeni të draft-statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, të cilën Kosova në parim e ka pranuar javë më parë, në të cilën, sipas leximit të tij, parashihet një autonomi e zgjeruar për komunitetin serb.

Draft-statuti i Asocaicionit, sipas Abdixhikut, është një trup që më pastaj mund të shndërrohet në diçka edhe më autonome deri në përmasën e një relacioni federativ.

Si tejet befasuese, Abdixhiku në një intervistë për Radio Televizionin Dukagjini, e ka cilësuar faktin se si ky dokument është pranuar pas sulmit terrorist të 24 shtatorit në Banjë të Zveçanit.

“Është befasues sepse Kosova ka pasur një moment historik që pas sulmit terrorist të nis një fushatë diplomatike që do të përmirësonte pozicionin e vetë dhe besoj që ka pasur një propozim të nisur nga presidentja që Kosova do të duhej të niste diskutim të drejtpërdrejtë me SHBA-të për hartimin e draft statutit të Asociacionit i cili më pastaj do të prezantohej prej Kosovës”.

Pas sulmit terrorist, ka vlerësuar Abdixhiku, Kosova ka pasur një moment historik i cili nuk është shfrytëzuar aspak.

“Përkundrazi pranuam me të parën një autonomi të zgjeruar, pa i marrë parasysh fare as komentet më të vogla të spektrit të shoqërisë”.

Abdixhiku është shprehur i frikësuar edhe për periudhën e ardhshme në raport se si ky mekanizëm do të evoluojë.

“E para Marrëveshja e Ohrit nuk është përfundimtare, është bazike dhe parasheh vazhdimin e dialogut. Dhe elementi i dytë është fakti që aty parashihet një periudhë e mbikëqyrjes së implementimit dhe funksionimit të Asociacionit”.

“Nuk do të habiteshim që pas periudhës dy ose pesë vjeçare të parë të mbikëqyrjes, të kemi një kërkesë nga Bashkimi Evropian që ky trup nuk mund të funksionoj jashtë rendit kushtetues të Republikës së Kosovës do të përfundojmë në: ‘Kushtetuta juaj nuk është as Bibël e as Kuran’”, ka shtuar ai.

Abdixhiku ndër të tjera ka theksuar se Kosova po përballet me një autonomi i cili nuk mund të ndalet më, meqë sipas tij kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka dhënë zotim për ta jetësuar Asociacionit, para tri fuqive evropianë.

“Edhe fjala e dhënë në relacione ndërkombëtare është po aq e rëndësishme sa nënshkrimi. Ndërsa ne po e diskutojmë pse Vuçiç-i s’po e nënshkruan Asociacionin, ky është gabim politik e logjik”.

Kurti, sipas Abdixhikut, po i kërkon Serbisë të nënshkruaj draft-statutin e Asociacionit të Republikës së Kosovës.

“Statuset, ligjet i nënshkruan presidentja e Kosovës. Statuset, ligjet nuk ka çka i nënshkruan presidenti i Serbisë. Statuti i Asociacionit është obligim i Kosovës, nënshkrimi i presidentit të Serbisë është autorizim mbi rregullativën kushtetuese të Kosovës”.

Kësisoj, Abdixhiku, ka vlerësuar se kryeministri Kurti më shumë po flet për simbolikë, sesa për thelbin e Asocaicionit, kur po deklaron se draft-statuti i Asociacionit duhet të nënshkruhet nga Serbia.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore