Lajme

Dodiku: S’na duhet ulëse në OKB


Presidenti i Republikës Srpska në Bosnje e Hercegovinë, Milorad Dodik, ka kërcënuar sërish me shkëputje të serbëve nga BeH-ja në rast se Përfaqësuesi i Lartë Christian Schmidt vendos një ligj mbi pronën shtetërore, derisa ka theksuar se RS-ja nuk duhet të ketë ulëse në OKB.

“RS-ja ka nivel të lartë pavarësie. Hipotetikisht, RS-ja s’duhet të ketë ulëse në OKB, ka të tjerë që e kanë. RS e pranon Bosnjën dhe Hercegovinën vetëm brenda kornizave kushtetuese. RS nuk do t’i japë autoritetin e saj të drejtë asnjë niveli, asnjë ideje të promovuar nga niveli global. Nuk po kërcënojmë asgjë”, tha ai gazetarëve, transmeton mediumi boshnjak “klix”.

Ai ka reaguar edhe ndaj deklaratës së Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës e cila të martën ka kundërshtuar festimin e “ditës së Republikës Srpska”.

“Është ndërhyrje e ambasadorit amerikan. Çfarë ka të bëjë ai me këtë, kush dreqi është ai?” ka pyetur ai.

“Ne respektojmë të gjitha kombet dhe të gjithë njerëzit, por duam të mbrojmë interesat tona. RS u krijua për të mbrojtur interesat e popullit serb”.

Ndryshe, pas shënimit të 9 janarit, festës jokushtetuese në Republikën Srpska, Shtetet e Bashkuara kërkuan hetim të këtyre ngjarjeve.

“Pritjet e SHBA-së janë që autoritetet e zbatimit të ligjit dhe ato të drejtësisë të hetojnë çdo shkelje të ligjit që ka ndodhur lidhur me festimin e Ditës së Republikës Srpska më 9 janar”, u tha në deklaratë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore