Lajme

Dodik: “ShBA, Britania e Madhe dhe Gjermania janë ndërmarrje e përbashkët kriminale, po bëjnë luftë hibride kundër Vuçiç-it”


Millorad Dodik

Presidenti ultra-nacionalist i Republikës Srpska – entiteti serb në Bosnje e Hercegovinë – Millorad Dodik, ka pretenduar se shtetet perëndimore janë “kolonizatorë”, dhe se të njëjtit po bëjnë “luftë hibride” kundër presidentit serb Aleksandër Vuçiç.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe dhe Gjermania janë kolonizatorë, uzurpatorë dhe një ndërrmarje e përbashkët kriminale për të shkatërruar rendin kushtetues në Bosnje e Hercegovinë. Ata po bëjnë një luftë hibride kundër RS-së dhe Serbisë dhe presidentit të saj, Aleksandër Vuçiç”, pretendoi Dodik, transmeton rrjeti ballkanik i lajmeve “N1”.

Ai i akuzoi se po bëjnë gjithçka për të destabilizuar Serbinë dhe për ta bërë atë “pre të lehtë” për zbatimin e politikës së tyre, duke, siç pretendon autoritari Dodik, “mos respektuar të drejtën ndërkombëtare dhe marrëveshjet e nënshkruara për zgjidhjen e çështjes së Kosovës”.

Dodik i akuzoi këto vende për udhëheqjen e një “revolucioni me ngjyra” kundër këtij entiteti me ndihmën e opozitës dhe organizatave joqeveritare dhe mediave në RS.

Sipas tij, qëllimi i të gjitha presioneve ndaj RS është ta bëjnë atë “të pakuptimtë, ta dobësojnë dhe ta detyrojnë të pranojë vendimet e imponuara”.

Ndonëse veprimet e tregojnë të kundërtën, Dodik potencoi se të gjitha lëvizjet e qeverisë së RS-së kanë për qëllim ruajtjen e Marrëveshjes së Dejtonit (marrëveshja që i dha fund luftës në BeH), duke shtuar se ai nuk do të heqë dorë nga mbrojtja e Republikës Srpska dhe popullit serb dhe se “kurrë nuk do të sakrifikojë interesat e RS-së për lehtësira personale”.

“Nuk do të dorëzohem, pavarësisht se si do të ndikojë tek unë. Nuk do të ndalem, do të shkoj deri në fund për të luftuar, pavarësisht se sa më prek mua personalisht. Nëse shoh se RS ka një problem, do të pyes popullin në referendum se çfarë të bëjë dhe si të veprohet”, tha Dodik në fjalimin e tij para deputetëve në Asamblenë Kombëtare të RS.

Sipas tij, do të vijë momenti kur RS do të duhet të vendosë për statusin e saj të mëtejshëm.

Imponimin e Përfaqësuesit të Lartë në BeH, Christian Schmidtt, për ndryshmet në Ligjin Zgjedhor të BeH-së si “thikë pas shpine”, duke shtuar se “heqja e asaj thike do të jetë shumë e dhimbshme”.

“Kjo u bë për të poshtëruar më tej RS”, vlerëson ai, duke njoftuar se do të vazhdojë të ndjekë një politikë që i përshtatet ekskluzivisht Republika Srpska.

Ai pretendoi gjithashtu se Prokuroria dhe Gjykata e BeH-së janë “një vend terrori ndaj RS-së dhe serbëve”, duke kërkuar që Asambleja Kombëtare e RS ta miratojë këtë si “term historik”.

Ai po ashtu ka thënë se para fillimit të seancës parlamentare ka marrë mesazh se Schmidtt i ka dërguar një letër Patriarkut të Kishës Ortodokse Serbe (KPS) Porfirio, në të cilën kërkon takim me të, duke shtuar se patriarku “e di se çfarë mendon për Schmidtt”.

Ultra-nacionalisti përsëriti se BeH “nuk është një vend kushtetues” dhe “nuk është një vend me të ardhme, duke vlerësuar se mënyra më e mirë është që palët në BeH “të ulen dhe të ndahen në mënyrë paqësore”, duke thënë se boshnjakët mund objektivisht të “jetojnë në 25 për qind të territorit të tyre dhe nuk u nevojitet më shumë”.

“Qëllimi i vetëm i boshnjakëve-myslimanëve është të shkatërrojnë RS-në duke centralizuar BeH-në dhe duke zhvendosur serbët, duke i vënë ata që mbeten në BiH nën zgjedhën e tyre. Ne nuk u besojmë boshnjakëve dhe nuk mund të bashkëpunojmë më me ta”, tha Dodik.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore