Lajme

Dodik: RS dërgoi në Bruksel propozimin për de-përshkallëzimin e krizës në BeH


Presidenti i Republikes Srpska, Millorad Dodik.

Presidenti ultra-nacionalist i Republikës Srpska – entiteti serb në Bosnje e Hercegovinë – Millorad Dodik, ka njoftuar këtë të marte se RS ka dërguar në kryeqendrën evropiane, Bruksel, propozimin e saj për de-përshkallëzimin e krizës në BeH, pas tensioneve të krijuara atje, si pasojë e vendimeve të vetë Dodik-ut dhe Asamblesë Parlamentare të RS-së.

“Propozimi nënkupton që të thuhet ajo që thuhet në Kushtetutë, që është se Bosnja dhe Hercegovina përbëhet nga dy entitete dhe tre popuj përbërës (boshnjak, kroat dhe serbë), të ndarë territorialisht sipas parimit 49:51 (në bazë të marrëveshjes së Dejtonit, më 1995, e cila i dha fund luftës në BeH) dhe se ne duhet ta respektojmë atë, ashtu siç duhet ta respektojmë natyrën konstituive të popullit”, ka thënë Dodik para gazetarëve në Banja Luka.

Sipas tij, kjo është baza mbi të cilën Bosnja e Hercegovina mund të ecë përpara.

Në aspektin operativ, pohoi presidenti autoritar i RS-së “është propozuar që të shqyrtohen të gjitha çështjet e hapura, pra të zgjidhen së bashku 14 prioritetet nga opinioni i Komisionit Evropian”.

“BE pret që ne të pranojmë 14 rekomandime dhe të miratojmë tre si provë progresi, por ne besojmë se kjo është zgjedhur qëllimisht dhe se një nga rekomandimet që flet për zgjidhjen e problemit të gjyqtarëve të huaj në Gjykatën Kushtetuese të BeH, u la qëllimisht pas”, tha Presidenti i RS.

Tutje, Dodik shtoi se, sipas tij “çështja e RS-së është logjike – nëse keni 14 rekomandime që e thonë këtë, pse i keni veçuar këto tre dhe jo këtë?”.

Ndryshe, Kryetarja e Këshillit të Ministrave të BeH Borjana Kristo dhe zëvendësit e saj Zukan Helez dhe Stasha Kosarac udhëtuan këtë të marte për në Bruksel, ku të mërkurën do të mbahet një takim i Këshillit të Stabilizim Asociimit ndërmjet BeH dhe BE-së.

Ndërsa, të mërkurën, delegacioni i BeH do të ketë një seancë të mbyllur me Përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Evropian për Politikës të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, dhe kryetarja e Këshillit të Ministrave, Borjana Kristo, do të mbajë fjalim në seancën plenare të Këshillit të Stabilizim-Asociimit në emër të delegacionit të BeH.

Në takimi do të diskutohet për përmbushjen e 14 prioriteteve nga Opinioni i Komisionit Evropian dhe përparimin e BeH në rrugën evropiane.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore