Lajme

Dodik për deklaratën e DASH-it: Shkelje e sovranitetit, janë përgjegjës për situatën në BeH


Presidenti i Republikes Srpska, Millorad Dodik.

Presidenti ultra-nacionalist i Republikës Srpska – entiteti serb në Bosnje e Hercegovinë – Millorad Dodik, i ka reaguar Departamentit amerikan të Shtetit, pasi që të njëjtit të enjten nëpërmjet një komunikate për media, kanë thënë se vendimi i Asamblesë Kombëtare të RS-së për moszbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të Bosnjë dhe Hercegovinës përfaqëson përshkallëzim të rrezikshëm të kërcënimeve secesioniste.

Sipas tij, deklarata e fundit e DASH-it “është shkelje e sovranitetit të Bosnjë-Hercegovinës, për integritetin dhe sovranitetin e së cilës ShBA-të vetëm deklarativisht po mbrojnë”.

“Çështja e funksionimit të Gjykatës Kushtetuese të BeH është një çështje e brendshme e BeH, e përcaktuar me Kushtetutë, e cila është shkelur rëndë nga gjykata e ngarkuar me mbrojtjen e kushtetutshmërisë,” tha Dodik kur u pyet për të komentuar deklaratën e DASH-it, transmeton media boshnjake “Oslobodenja”.

Ndërkaq, udhëheqësi autoritar i RS-së theksoi se ambasadori amerikan në Sarajevë “tashmë e ka prishur mjaftueshëm atmosferën e dialogut në Bosnje e Hercegovinë me deklaratat e tij pothuajse të përditshme”.

“Në vend që të zbatojnë në praktikë atë që vetëm në mënyrë deklarative mbrojnë, SHBA-të, me vlerësime të sheshta në njoftime stereotipike, si ky, vetëm sa kontribuojnë në përkeqësimin e klimës politike në BeH”.

Përkundër veprimeve destabilizuese, ai pretendoi se RS “mbetet e vendosur fort për ruajtjen e Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit (marrëveshja që i dha fund luftës në BeH, më 1995) dhe Kushtetutës së BeH, e cila u sulmua nga Gjykata Kushtetuese e BeH”.

“Aktualisht, kërcënimi më i madh për sovranitetin dhe integritetin e Bosnje e Hercegovinës janë vendimet antikushtetuese të Gjykatës Kushtetuese të Bosnjë e Hercegovinës dhe deklaratat e papërgjegjshme të disa aktorëve ndërkombëtarë. Në vend që të përballeni me problemin, po kultivohet praktika e varrosjes së kokës dhe gjuetia e shtrigave”, pretendon ai.

“Është një praktikë që nuk ka dhënë rezultate për gati 30 vjet. Është koha që ne në Bosnje dhe Hercegovinë të ulemi seriozisht dhe të kërkojmë një zgjidhje. SHBA mund ta dërgojë ambasadorin në shtëpi dhe kjo do të ishte shenja e parë e sigurt e vullnetit të mirë. Përndryshe, ne do t’i konsiderojmë ata përgjegjës për situatën në Bosnje dhe Hercegovinë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore