Lajme

Dodik del me propozim: Në vend të anëtarësimit në BE, BeH duhet t’i bashkohet BRICS


Millorad Dodik

Presidenti ultra-nacionalist i Republikës Srpska – entiteti serb në Bosnje e Hercegovinë – Millorad Dodik, ka bërë një propozim të ri për rrugën se ku duhet të orientohet BeH sa i përket orientimit strategjik.

Sipas tij, në vend të Bashkimit Evropian, Bosnje e Hercegovina do të ishte më mirë që të anëtarësohej në BIRCS – një grupim i ekonomive që përbehet nga shtete si Brazili, Federata Ruse, Kina dhe Afrika e Jugut.

“Bashkimi Evropian ka një alternativë. Duke pasur parasysh se nga Brukseli gjithmonë dalin kushte të reja dhe të paqarta për pranim në Bashkimin Evropian, unë besoj se Bosnja dhe Hercegovina duhet të aplikojë për anëtarësim në BRICS”, shkroi Dodik në rrjetin social X.

Ai shprehet optimist se në rast të aplikimit, pranimi do të ishte më i shpejtë se sa në BE.

“Në ditët në vijim, përfaqësuesit e institucioneve nga Republika Srpska do t’u dërgojnë një propozim autoriteteve të BeH për të shqyrtuar një iniciativë të tillë”, shtoi.

Këto deklarata të Dodik-ut vinë në kohën kur Emisari Special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabirel Escobar, po viziton Bosnje e Hercegovinën, në një kohë kur autoritetet e Republikës Srpska po ndërmarrin veprime që po e minojnë Marrëveshjen e Dejtonit (marrëveshja që i dha fund luftës në BeH, më 1995).

“Vizita e tij nënvizon mbështetjen e qëndrueshme të SHBA-ve për integritetin territorial, sovranitetin dhe karakterin multietnik të BeH-së dhe për rrugën e saj euro-atlantike”, ka njoftuar të hënën ambasada e ShBA-ve në Sarajevë nëpërmjet faqes zyrtare në platformën “X”.

Së fundmi, ShBA-të kanë vendosur sanksione ndaj anëtares serbe të Presidencës trepalëshe të BeH-së, Zhelka Cvijanoviç, dhe disa zyrtarëve të tjerë të lartë të Republikës Serbe, për shkak të minimit të Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit dhe përshkallëzimin e rrezikshëm të kërcënimeve secesioniste.

Dodik nuk është i vetëm në kërkesën e tij për tu anëtarësuar në BIRCS.

Përveç tij, më 28 gusht edhe deputetët nga radhët e Lëvizjes së Socialistëve të Serbisë (PS) të kryespiunit serb Aleksandër Vulin, të hënën i kanë propozuar parlamentit serb që Serbia t’i bashkohet BRICS-it.

“Të vetëdijshëm për faktin se bota që po jetojmë po ndryshon pakthyeshëm, ne shprehim nevojën për të hapur një dialog më të gjerë social para popullit të Serbisë rreth faktit të pakundërshtueshëm se e ashtuquajtura rrugë evropiane e Serbisë e ka një alternativë në procesin e anëtarësimit në organizatën BRICS”.

Ata kanë pretenduar se anëtarësimi në këtë organizatë do të konfirmonte përkushtimin e Serbisë për vendosjen e një rendi botëror më të drejtë, i cili do të bazohej në respektimin e pakushtëzuar të ligjit ndërkombëtar dhe do të kufizonte “hegjemoninë perëndimore dhjetëvjeçare dhe do të sillte më shumë siguri dhe stabilitet në botë”.

Deputetët e Vulinit kërkojnë që Serbia të anëtarësohet në BRICS

Çka është BRICS?

Termi BRICS është një akronim për shtetet kryesore që e përbëjnë atë, pra Brazilin, Rusinë, Indinë, Kinën dhe Afrikën e Jugut.

Monedha u krijua fillimisht si BRIC (pa Afrikën e Jugut) nga ekonomisti i Goldman Sachs, Jim O’Neill në 2001, duke pretenduar se deri në vitin 2050 katër ekonomitë BRIC do të dominonin ekonominë globale.

Afrika e Jugut u shtua në listë në 2010.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore