Lajme

“Do të ketë kriza të rregullta ushqimore nëse nuk investohet te fermerët e vegjël”


Kreu i ri i fondit të financave bujqësore të OKB-së ka pranuar se nuk ka një detyrë të vogël përpara.

Alvaro Lario ka marr rolin e kreut të Fondit Ndërkombëtar për Zhvillimin e Bujqësisë në mes të një krize globale ushqimore, për të cilën ai ka paralajmëruar se mund të bëhet një dukuri e rregullt.

Lario dëshiron që fokusi të jetë në investimin në qëndrueshmërinë e fermerëve të shkallës së vogël, në mënyrë që ata të mund të prodhojnë ushqim për veten e tyre dhe të mos lihen në mëshirën e goditjeve të jashtme.

“Rezistent do të thotë që kur keni një goditje në të ardhurat tuaja, keni një tronditje që vjen nga klima ekstreme, nuk do të bini nga pragu i varfërisë në varfëri ose pasiguri ushqimore”, ka thënë Lario.

Ai ka thënë se kriza aktuale e ushqimit, e përkeqësuar nga lufta në Ukrainë, mund të ndodhë përsëri nëse liderët botërorë nuk trajtojnë mënyrën se si ushqimi rritet dhe shpërndahet.

Sipas tij, qindra miliarda dollarë duhen drejtuar drejt fermave të vogla duke investuar në ruajtjen e ujit dhe tokës, duke ofruar kredi me interes të ulët, akses në tregje dhe duke rritur produktivitetin.

“Ajo që ne po shohim është se ata aktualisht nuk janë në gjendje as të prodhojnë ushqimin e tyre vetë, shumë prej tyre duhet të shesin asetet e tyre sepse nuk kanë mjaftueshëm për të ushqyer veten”, ka vijuar ai.

Ndikimi i luftës në Ukrainë, për Lario-n ka ndërprerë transportin e kulturave kryesore për muaj të tërë dhe ka shkaktuar rritje të çmimeve të plehrave kimikë.

“Nëse nuk investojmë tani, në terma dhjetëra apo qindra miliarda, edhe nëse e zgjidhim luftën në Ukrainë së shpejti, pas dy deri në pesë vjet do të jemi në të njëjtën situatë”, ka parashikuar ai.

IFAD është një agjenci financiare e OKB-së me bazë në Romë që punon me Organizatën e OKB-së për Ushqimin dhe Bujqësinë dhe Programin Botëror të Ushqimit, si dhe me sektorin privat, për të promovuar sigurinë ushqimore përmes bujqësisë së qëndrueshme.

Këtë, duke ofruar grante dhe kredi të lira për fermerët në vendet në zhvillim.

Në mars, çmimet globale të ushqimeve arritën nivelet më të larta të regjistruara pas pushtimit rus të Ukrainës dhe ato mbeten tetë për qind më të larta se një vit më parë.

Po ashtu ekziston shqetësimi për çmimin e vazhdueshëm të lartë të plehrave që ndikon në produktivitetin bujqësor, me sanksione që kufizojnë dërgesat nga Rusia, si dhe një reduktim në sasinë që vjen nga Kina dhe më pak prodhimin e përgjithshëm të plehrave në Evropë.

Sipas Lario-s, këto çmime të rritura janë të vështira për fermerët që t’i kalojnë te konsumatorët.

Kjo është edhe arsyeja pse komuniteti ndërkombëtar kishte nevojë të financonte fermerët që nuk merrnin ndihmë nga qeveritë e tyre, ndryshe nga fermerët në vendet më të pasura.

“Mënyra për të trajtuar pasigurinë ushqimore, për të trajtuar financimin e sistemeve ushqimore, duhet të fillojë gjithmonë me këtë transformim afatgjatë rural dhe sjelljen e prodhuesve në shkallë të vogël në tryezë”, ka theksuar ai.

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore