Lajme

“Do ta përmirësoj partneritetin mes Malit të Zi dhe SHBA-së”, thotë Milatoviç pas takimit me senatorët amerikanë


Presidenti i sapozgjedhur i Malit të Zi, Jakov Milatoviç, pas takimit me dy senatorët amerikanë, Chris Murphy dhe Gary Peters, ka thënë se nga pozita e presidentit “do të përmirësoj edhe më tej partneritetin strategjik mes Malit të Zi dhe SHBA-së”.

Milatoviç potencoi se partneriteti strategjik ndërmjet Malit të Zi dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) është shumë i rëndësishëm, “veçanërisht në këto momente të ndryshimeve politike”.

“Ne po përpiqemi të krijojmë një sistem tjetër vlerash në Mal të Zi. Ne ramë dakord se procesi i integrimit në BE është shumë i rëndësishëm dhe se ai duhet të përfundojë me sukses në vitet e ardhshme kur bëhet fjalë për Malin e Zi, i cili kërkon përshpejtimin e reformave”, ka deklaruar Milatoviç, transmeton media malazeze “Vijesti”.

I pyetur nëse ka një distancim nga nisma Ballkani i Hapur, duke iu referuar fjalimit të tij gjatë inaugurimit si president i Malit të Zi – ku nuk e përmendi fare – ai pohoi se është i qartë dhe se ka përmendur nismën e Berlinit dhe se “çdo iniciativë ka për qëllim integrimin e vendeve të rajonit është e mirëpritur”.

Nga ana tjetër, senatori Murphy theksoi se çdo anëtar i Senatit Amerikan “është i emocionuar që e sheh Milatoviç-in në pozitën e presidentit”.

“Një nga votat për të cilat jam krenar si anëtar i Senatit është vota e mbështetjes për anëtarësimin e Malit të Zi në NATO. Unë kam të njëjtin entuziazëm kur bëhet fjalë për rrugën tuaj drejt BE-së. Mali i Zi është një histori suksesi, ka ende punë për të bërë në fushën e sundimit të ligjit, forcimit të demokracisë, lirisë së mediave. Por askush nuk është i përsosur, asnjë demokraci nuk është perfekte, madje as ne në SHBA”, elaburoi Murphy.

Milatović i američki senatori, Kris Marfi, Gari Piterson

Po ashtu, ai edhe e uroi kreu e ri malazez për “fitoren mbresëlënëse” në zgjedhjet presidenciale, ku kishte arritur që të marrë mbështetjen e më shumë se 60 përqind të qytetarëve malazezë, në garën e tij kundrejt veteranit të politikës malazeze, Milo Gjukanoviç.

Vizita e senatorëve në Mal të Zi vjen pas asaj në Kosovë dhe Shqipëri.

Gjatë vizitës së tyre në Kosovë, senatorët amerikan janë takuar me udhëheqësit institucional të Kosovës, si dhe me liderët e partive opozitare.

Senatori amerikan nga radhët e Demokratëve, Chris Murphy, në një deklaratë për media, pas takimit me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, kërkoi nga Serbia që të ndaloj fushatën e saj kundër Kosovës që të jetë pjesë e organizatave ndërkombëtare.

Po ashtu, ai u shpreh optimist se marrëveshja e Ohrit e arritur mes Kosovës dhe Serbisë do t’i zgjidh problemet mes palëve.

“Jemi shumë të lumtur që po e shohim marrëveshjen e fundit mes Kosovës dhe Serbisë, që përfshin njohjen e ndërsjellët të dokumenteve zyrtare. Por, edhe hapave të vështirë që duhet të ndërmerren nga të dyja palët, Serbia duhet të ndaloj të pengoj Kosovën për të qenë pjesë e organizatave ndërkombëtare”.

Për Murphy-n, kjo ishte vizita e tij e katërt në Kosovë.

Ai qëndroi për vizitë zyrtare në Kosovë edhe vitin e kaluar, më 21 prill.

Atë kohë, në një konferencë për medie, ai kishte thënë se “koha që Kosova të anëtarësohet në NATO, është tani”, pasi që sipas tij, Shtetet e Bashkuara të Amerikës po investojnë kaq shumë për sigurinë e Evropës, Ballkanit e në veçanti të Kosovës, pasi që sipas tij në Ballkan askush tjetër nuk ishte më shumë përkrahës ndaj sanksioneve të Rusisë, sesa Kosova.

Murphy është anëtar i Komitetit të Politikës së Jashtme të Senatit të SHBA-së dhe Peters është anëtar i Komitetit të Shërbimeve të Armatosura.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore