Lajme

Djali i Erdogan-it të mërkurën në Kosovë


Recep Tayyip Erdogan dhe djali i tij, Necmeddin Bilal Erdogan.

Necmeddin Bilal Erdogan, djali i Presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, do të qëndrojë të mërkurën (27 dhjetor) në Kosovë.

Lajmi është bërë i ditur nga Kolegji Universum, të cilët do ta nderojnë Erdogan-in me çmimin për “Global Leadership”.

“Na lejoni të ju informojmë se nesër (e mërkurë) me datë 27.12.2023 do të kemi kënaqësinë të kemi në vizitë djalin e Presidentit turk Erdogan, z. Necmeddin Bilal Erdogan, si Kryesues i Bordit të Institutit që është pjesë e universitetit tonë partner, Kirikale University”, thuhet në njoftim.

Kjo është hera e parë që djali i presidentit turk viziton Kosovën. Ndërsa, nuk dihet nëse ai do të ketë ndonjë takim tjetër përveç ceremonisë në Kolegjin Universum.

Ndërsa, më 8 dhjetor, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ishte takuar në Stamboll me Presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdogan.

Përmes një postimi në Facebook, Osmani kishte thënë se homologun e saj turk e ka falënderuar për mbështetjen e fuqishme për Kosovën, “përfshirë në periudha të rënda e sfiduese për ne, si dhe e informova për zhvillimet e fundit në vendit tonë”.

“Do të vazhdojmë të punojmë afër në mënyrë që ta rrisim bashkëpunimin mes vendeve tona e popujve tanë”, shkroi ajo.

Së fundmi Kosova ka blerë pajisje ushtarake nga Turqia, siç janë dronët “Bayraktar TB-2”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore