Muzikë

Dj Khaled me yllin e tij në Hollywood Walk of Fame


Një yll në Hollywood Walk of Fame u zbulua të hënën duke nderuar producentin e muzikës hip-hop, DJ Khaled. Ai konsiderohet për një karrierë goxha të suksesshme, me gjashtë albume dhe katër këngë në krye të listave dhe katër nominime për Grammy.

Bashkëpunëtorët e tij të shpeshtë Fat Joe, Sean Combs dhe Jay-Z ishin mes atyre që iu bashkuan DJ Khaled në ceremoninë në 6212 Hollywood Blvd., pranë Amoeba Music.

Combs dhe Fat Joe ishin bashkautor të një remix-i të vitit 2010 të këngës “All I Do Is Win” të DJ Khaled.

“Ky këtu është ylli im. Dua që ylli im të përfaqësojë dritën, dashurinë që shkëlqen mbi të gjithë”, i tha Khaled fansave të tij që po e shoqëronin gjatë ceremonisë.

Ylli është i 2719-ti që nga përfundimi i Walk of Fame në 1961 me 1 mijë e 558 yjet e parë.

I lindur me emrin Khaled Mohammed Khaled ,më 26 nëntor 1975, në New Orleans, DJ Khaled filloi të mësonte se si të bënte DJ në garazhin e shtëpisë së tij familjare në Orlando, Florida, kur ishte vetëm 13 vjeç.

Ai filloi si bashkë-prezantues në një program në një stacion radio në Miami në vitin 1998 me Luther Campbell, i njohur si drejtuesi i grupit rap “2 Live Crew”.

Albumi debutues i DJ Khaled “Listennn … the Album” u publikua në 2006, duke u renditur i treti në listat e rap dhe R&B / hip-hop të revistës Billboard. Albumi i tij i dytë, “We the Best” i publikuar në vitin 2007, zuri vendin e dytë.

Në vitin 2011, DJ Khaled pati këngën e tij të parë në krye të listave me “I’m on One”, i cili ishte bashkëpunim me Drake, Rick Ross dhe Lil Wayn. Kënga i solli gjithashtu atij edhe nominimin e të parë për Grammy.

Secili nga pesë albumet e tij të fundit kanë kryesuar listat me “I Changed a Lot” (2015), “Major Key” (2016), “Grateful” (2017), “Father of Asahd” (2019) dhe “Khaled Khaled ” (2021).

Këngët e tij të tjera në krye të listave janë “I’m the One” dhe “Wild Thoughts” (të dyja të publikuara në 2017) dhe “Popstar” (2020).

DJ Khaled fitoi Grammy për “Performancën më të mirë rap” në vitin 2020 për këngën “Higher,” i cili përmbante vokalin e Nipsey Hussle dhe John Legend në piano. Grammy erdhi gati 10 muaj pasi Hussle u qëllua për vdekje.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore