Lajme

“Dita e Republika Srpska”, Schmidt ankohet: Jeta e djalit të Vuçiç-it u rrezikua, ai ishte në mision diplomatik


Christian Schmidt dhe Aleksander Vucic

Përfaqësuesi i Lartë në Bosnje dhe Hercegovinë (BeH), Christian Schmidt, u shkroi një letër ambasadorëve të huaj në Sarajevë dhe i ftoi ata të nisin notë proteste në drejtim të Ministrisë së Punëve të Jashtme të BeH-së për shkak të publikimit të informacionit se Danilo Vuçiç ishte prezent në kremtimin e ditës antikushtetuese të Republikës Srpska (RS) – entiteti serb në BeH.

Me pak fjalë, thelbi i letrës që Schmidt u dërgoi diplomatëve të huaj, ishte se jeta e djalit të presidentit serb Aleksandër Vuçiç u kërcënua pasi mediumi boshnjak Istraga.ba publikoi një dokument që konfirmonte se ai mori pjesë në kremtimin e ditës së RS-së, e cila u shpall antikushtetuese nga Gjykata Kushtetuese e BeH-së.

Në letrën e tij, diplomati gjerman nuk e problematizon aspak praninë e djalit të presidentit serb në ditën antikushtetuese të RS-së. Përkundrazi, ai i referohet Konventës së Vjenës dhe i jep Danilo Vuçiç-it statusin diplomatik në BeH. Kjo do të thotë se Danilo Vuçiç mori pjesë në festimin e Ditës së RS-së si diplomat serb.

Aleksander Vucic dhe Danilo Vucic

“Duke marrë parasysh mjedisin e ndjeshëm politik në vend kur u zhvillua udhëtimi, shkelja e këtij informacioni konfidencial mund të ketë pasoja të rënda dhe konflikt me përgjegjësi të caktuara të Bosnje dhe Hercegovinës sipas Konventës së Vjenës për Marrëdhënie Diplomatike”, ka thënë Schmidt, transmeton Istraga.ba.

“Një përkujtim i koordinuar i komunitetit diplomatik për Ministrinë e Punëve të Jashtme të Bosnjë dhe Hercegovinës për konfidencialitetin e korrespondencës diplomatike dhe përgjegjësinë që ministria mban në këtë drejtim do të ishte një mesazh efektiv dhe në kohë”, shkroi tutje ai.

Djali i presidentit serb ishte në Banja Llukë më 8 janar, si mysafir në kremtimin e ditës antikushtetuese të RS-së. Një ditë më vonë, Danilo Vuçiç ishte në mesin e të ftuarve në pjesën VIP në Sarajevën Lindore gjatë paradës së organizuar me rastin e ditës së RS-së, e cila festohet ilegalisht.

Ndonëse në dokument nuk publikoheshin të dhëna personale lidhur me djalin e presidentit serb, autoritetet serbe filluan një fushatë mediatike duke pretenduar se publikimi i dokumentit kërcënonte jetën e Danilo Vuçiç-it.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore