Shqipëria

Dita Botërore e Ndërgjegjësimit për Autizmin, 2 mijë mësues ndihmës do të mbështeten me rritje page


Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, në Ditën Botërore të Ndërgjegjësimit për Autizmin, vuri në qendër të vëmendjes kontributin jetësor të mësuesve ndihmës në arsimin dhe zhvillimin e fëmijëve me aftësi të veçanta.

Ministrja ka ndërmarrë hapa për të përfshirë mësuesit ndihmës në sistemin arsimor parauniversitar, duke arritur një raport mësues-nxënës që respekton standardeve evropiane të arsimit.

“Dhjetë vite më parë nuk mendonin se do të kishim 2 mijë mësues ndihmës në sistemin parauniversitar, përfshirë edhe atë parashkollor. Kemi rritur numrin e mësuesve ndihmës në shkolla. Sot vetëm në shkollat tona në arsimin parauniversitar numërojmë më shumë se 1 mijë e 800 mësues, të dedikuar për fëmijët specialë. Kemi reduktuar raportin mësues për fëmijë me aftësi speciale duke synuar t’i përafrohemi normave të Bashkimit Evropian”, ka thënë ajo.

“Detyra juaj është t’i udhëhiqni, t’i drejtoni dhe t’i mbështesni këta fëmijë gjatë rrugëtimit të tyre arsimor por edhe të evidentoni dhe të identifikoni prirjet dhe talentet e tyre, sepse fokusi i shkollës është gjithë përfshirja, thelbi i shkollës është integrimi dhe përgatitja për jetën dhe këta fëmijë duhet të përgatiten për jetën”, ka shtuar Manastirliu.

Ajo ka thënë se mësuesit e arsimit special do të përfitojnë jo vetëm nga rritja e pagës së mësuesve  që do të shkojë 950 euro në korrik, por veçanërisht mësuesit ndihmës do të mbështeten me programe të trajnimit për të rritur profesionalizmin dhe efikasitetin e tyre

“Ju, jo vetëm që do të kemi mbështetje, nëpërmjet rritjes së pagave si për të gjithë mësuesit  e tjerë, por nga  ana tjetër do të mbështeteni edhe me trajnimet specifike dhe me edukimin në vazhdim, sipas një sistemi të ri të karrierës, brenda sistemit arsimor, nëpërmjet kualifikimeve, mbështetjes së avancuar në vite të ndryshme të karrierës suaj. Në shkollat speciale dhe në shkollat në tërësi, të cilat mbështesin nxënësit me aftësi speciale, ne do t’i riorganizojmë nëpërmjet një tjetër instrumenti që shumë shpejt do ta jetësojmë, që është pikërisht transformimi i shkollave speciale në qendra burimore”, ka shtuar Manastirliu.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore