Film

Disney+ vjen në Shqipëri


Gjigandi botëror i kinematografisë, Disney, do të vijë në Shqipëri me platformën Disney+ gjatë verës 2022, si një skemë zgjerimi në rajon e kontinente të tjera.

Disney+ u krijua në nëntor të vitit 2019, për të rivalizuar platforma të ngjashme si HBO, Hulu apo AppleTV dhe gëzoi sukses të gjerë tek përdoruesit.

Mbi 118 milionë të tillë janë të abonuar në gjithë vendet ku operon. Më së shumti, për përmbajtjet origjinale që kanë të bëjnë me universin Marvel dhe atë të lidhur me sagën e Star Wars.

Historitë e superheronjve jashtë ekranit të madh, janë risjellë në ekranin e vogël të shtëpive amerikane e botërore. Pikërisht për popullaritetin e tyre, Disney po ndërmerr edhe këtë hap zgjerues – të cilin platformat e tjera nuk e kanë.

Për sa i përket Ballkanit, thuajse i gjithë rajoni përfshihet në skemë. Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Greqi dhe Serbia do të gëzojnë platformën Disney+ që prej verës 2022.

Territore të tjerë zgjerimi janë edhe vendet e Evropës, të cilat nuk ishin përfshirë fillimisht. Më pas, vend do të gjejë edhe në një pjesë të vendeve aziatike, afrikane dhe atyre të Amerikës së Jugut.

Në këtë mënyrë, Disney+ do të jetë i aksesueshëm në 160 vende të botës. Metodat e abonimit do të jenë si ato të gjigandit tjetër të transmetimit në rrjet, Netflix. Tarifat sakaq, nuk janë bërë të ditura, nëse do të përkojnë me ato Amerikës Veriore.

Hyrja në gjithë Evropën ndërkohë, shihet edhe si më e rëndësishmja nga ana e Disneyt. Kontinenti është shumë i populluar dhe duke parë suksesin e filmave nga Marvel në ekranin e madh, pritet të ketë një fluks të mirë edhe në atë të vogël.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore