Aplikacione

Diskriminimi prej inteligjencës artificiale është një rrezik edhe më i madh, thotë Vestager


Diskriminimi është një kërcënim më i madh që vjen nga inteligjenca artificiale sesa zhdukja e mundshme e racës njerëzore.

Të paktën e këtij mendimi është komisionerja e konkurrencës e Bashkimit Evropian, Margrethe Vestager.

Sipas saj, paçka se rreziku ekzistencial nga përparimet e inteligjencës artificiale mund të jetë një shqetësim, nuk ka gjasa.

Ndërsa diskriminimi nga teknologjia, ka shtuar ajo, është një problem real.

Kufijtë janë të nevojshëm për inteligjencën artificiale, sipas Vestager, përfshirë situatat kur përdoret për vendime që mund të ndikojnë në jetesë, të tilla si aplikimet për hipotekë ose aksesi në shërbimet sociale.

“Ndoshta rreziku i zhdukjes mund të ekzistojë, por mendoj se gjasat janë mjaft të vogla”, ka thënë ajo.

Në Mbretërinë e Bashkuar, Zyra e Komisionerit të Informacionit po heton nëse sistemet e inteligjencës artificiale po tregojnë paragjykime racore kur merren me aplikimet për punë.

Rregullatorët janë të shqetësuar se mjetet e inteligjencës artificiale mund të prodhojnë rezultate që vënë në disavantazh grupe të caktuara nëse ato nuk përfaqësohen me saktësi ose në mënyrë të drejtë në grupet e të dhënave mbi të cilat janë trajnuar dhe testuar.

Sakaq, shqetësimet e Vestager i bëjnë jehonë disa ekspertëve të teknologjisë, të cilët argumentojnë se frika për rrezikun e nivelit ekzistencial lidhur me inteligjencën artificiale po lënë në hije rreziqet më të menjëhershme të tilla si dezinformimi i fuqizuar nga inteligjenca artificiale.

Shefja e konkurrencës ka thënë  se thirrjet për një moratorium mbi zhvillimin e inteligjencës artificiale, të mbështetur nga Elon Musk dhe figura të tjera të larta, ishin të pazbatueshme.

Sipas Vestager, rregullorja e inteligjencës artificiale duhet të jetë një çështje globale.

Po ashtu ajoi ka paralajmëruar se një qasje e stilit të OKB-së do të ishte e vështirë për t’u zbatuar.

Rishi Sunak, kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, ka thirrur një samit global të sigurisë së inteligjencës artificiale për “vendet me të njëjtin mendim” këtë vjeshtë dhe drejtuesit e teknologjisë si shefi ekzekutiv i Google-it Sundar Pichai dhe Elon Musk kanë bërë thirrje për korniza globale për të rregulluar teknologjinë.

Ndërkohë, BE-ja po punon për legjislacionin për të mbikëqyrur zhvillimin dhe zbatimin e sistemeve të inteligjencës artificiale, i cili grupon teknologjinë në katër grupe rreziku: rrezik i papranueshëm; rrezik i lartë, rrezik i kufizuar dhe rrezik minimal.

Sistemet e inteligjencës artificiale që mbikëqyrin rezultatet e kreditit dhe shërbimet thelbësore publike hyjnë në kategorinë me rrezik të lartë, që do të thotë se do të vendosen “kërkesa të qarta” për ato sisteme

Ndërhyrja e Vestager ka ardhur pasi Komisioni Irlandez për Mbrojtjen e të Dhënave bllokoi Google-in që të nxirrte në treg chatbot-in e tij Bard në BE për shqetësimet e privatësisë.

DPC, që është rregullatori kryesor evropian për kompaninë Kaliforniane, ka thënë se nuk ka marrë informacion të mjaftueshëm se si mjetet do të përputheshin me Rregulloren e Përgjithshme të Mbrojtjes së të Dhënave të BE-së.

Google ka synuar të nxirrte Bard në Evropë këtë javë, disa muaj pas lëshimit global të chatbot-it.

Sipas rregullatorit, kjo tani nuk do të ndodhë.

DPC “nuk ka pasur ndonjë informim të detajuar apo pamje të një vlerësimi të ndikimit të mbrojtjes së të dhënave apo ndonjë dokumentacion mbështetës në këtë pikë”, ka thënë nënkomisioneri Graham Doyle.

Një konflikt i ngjashëm ndodhi në prill, kur rregullatori italian urdhëroi zhvilluesin e ChatGPT, OpenAI, të ndalonte operacionet në vend për shkak të shqetësimeve për mbrojtjen e të dhënave.

Autoriteti italian i mbrojtjes së të dhënave ka thënë se duket se nuk ka “asnjë bazë ligjore që mbështet mbledhjen dhe përpunimin masiv të të dhënave personale në mënyrë që të trajnohen algoritmet mbi të cilat mbështetet platforma”.

Por OpenAI ishte në gjendje të bindte rregullatorin se ishte në përputhje dhe rifilloi shërbimet me ndryshime të kufizuara.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore