Lajme

Diplomon në Kosovë grupi i parë i Policisë ukrainase për heqjen e minave


Foto: Jeffrey Hovenier

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka njoftuar se të enjten ka diplomuar grupi i parë i Policisë Kombëtare të Ukrainës dhe Shërbimeve Shtetërore të Emergjencave, që ka qenë një iniciativë e përbashkët e Komandës Evropiane të SHBA-ve dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).

Hovenier lajmin e ka bërë të ditur përmes një postimi në platformën X, ku ka njoftuar se ata kanë diplomuar për heqjen e minave.

“Sot grupi i parë i Policisë Kombëtare të Ukrainës dhe Shërbimeve Shtetërore të Emergjencave u diplomua nga një iniciativë e përbashkët trajnimi e Komandës Evropiane të SHBA-së dhe Forcave të Sigurisë së Kosovës për heqjen e sigurt të minave dhe mjeteve të municioneve të pashpërthyera”, shkroi Hovenier.

Diplomati amerikan potencoi të jetë “krenar që e dëshmojmë këtë përpjekje për ta mbajtur popullin ukrainas të sigurt dhe për të qëndruar me partnerët tanë kosovarë në solidaritet me Ukrainën”.

Për këtë ka shkruar edhe Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci. Ai ka theksuar se Kosova qëndron e palëkundur në mbështetje të Ukrainës.

“Sot përfundoi me sukses trajnimi gjashtëjavor i grupit të parë të personelit ukrainas në EOD, trajnim i realizuar nga instruktorët e FSK-së në bashkëpunim me EUCOM-USA. Kosova qëndron e palëkundur përkrah SHBA-së dhe vendeve të tjera demokratike në mbështetjen e Ukrainës”, shkroi Maqedonci në X.

Që nga fillimi i agresionit të Federatës Ruse në Ukrainë, Kosova ka qenë në mbështetje të plotë të Kievit zyrtar. Prishtina zyrtare u është bashkuar sanksioneve të vendeve perëndimore ndaj Moskës zyrtare.

Madje, në Kosovë janë strehuar edhe disa gazetarë ukrainas.

Përkundër qëndrimeve përkrahëse dhe mbështetjes konkrete, Ukraina vazhdon që të mos e njohë pavarësinë e Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore