Lajme

“Diaspora” me fluks të madh vizitash në Kosovë edhe në gusht


Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës

Në dy javët e para të muajit gusht, në Kosovë, duke e shfrytëzuar Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari”, kanë ateruar 783 aeroplanë, me mbi 91 mijë e 634 pasagjer.

Numri i udhëtarëve në ardhje vazhdon të jetë dukshëm më i madh se sa i atyre që po shkojnë, ka treguar në shifra, Zyra për Informim në Aeroportin e Prishtinës, me shkrim për Albanian Post.

“Nga data 1 deri 15 gusht janë realizuar 738 fluturime me 125 mijë e 124 udhëtarë në shkuarje, ndërsa 91 mijë e 634 udhëtarë kanë ardhur në Kosovë. Gjithsej shkuarje-ardhje janë 216 mijë e 758 udhëtarë”, ka thënë zyra për medie e APN-së.

Një muaj më parë, gjatë tërë muajit korrik, shifrat e fluturimeve gjithashtu ishin të larta.

“Në korrik janë realizuar 1 mijë e 327 fluturime me 221 mijë e 721 udhëtarë në ardhje dhe 118 mijë e 477 në shkuarje”.

Po ashtu, mërgata vazhdon të jetë njëri nga burimet kryesore të financimit të shpenzimeve familjare në Kosovë.

Që nga shpallja e pavarësisë, dërgesat e tyre kanë vazhduar të shënojnë rritje.

60 milionë euro më shumë sesa vitin e kaluar sollën mërgimtarët kosovarë në vendlindje, përgjatë tre mujorit të parë të këtij viti.

Sipas Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), përgjatë kësaj periudhe kohore, remitencat kanë arritur shumën rreth 250 milionë euro.

Në një kohë që ekonomia e Kosovës po pëson rënie, si pasojë e pandemisë së shkaktuar nga COVID-19, roli i diasporës në ekonominë e Kosovës vazhdon të jetë tejet i madh.

Diaspora ka ndikim në ekonominë e Kosovës, qoftë përmes remitencave, investimeve të huaja direkte (IHD), dërgimit të gjësendeve për familjet e tyre, apo edhe përmes shpenzimeve që u bëjnë gjatë vizitave në Kosovë.

Rrije të këtyre parave të gatshme, pati edhe gjatë vitit 2020, krahas atij paraprak. Përkundër krizës ekonomike që shkaktoi pandemia COVID-19, gjatë vitit të kaluar në Kosovë kanë hyrë 120 milionë euro më shumë se sa në vitin 2019.

Në periudhën janar-gusht të vitit 2020, vlera e remitencave të dërguara në Kosovë nga diaspora ishte 608.5 milionë euro, apo rreth 55.4 milionë euro (10%) më e lartë se në vitin 2019. Ato mbesin më të lartat në Ballkanin Perëndimor dhe ishin rreth 12% të Bruto Produktit Vendor (BPV) të Kosovës para pandemisë së shkaktuar nga COVID-19.

Ndryshe, nga rezultatet preliminare të regjistrimit të diasporës, numri i qytetarëve të Kosovës që jetojnë në vende të ndryshme të Evropës dhe botës, të cilët i janë përgjigjur regjistrimit është rreth 350 mijë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore