Lajme

Dialogu Kosovë-Serbi, peng i Beogradit


ilustrim

Dialogu në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë është larg arritjes së një kompromisi përfundimtar dhe të qëndrueshëm mes dy vendeve.

Takimet mes dy palëve janë shndërruar në një arenë përplasjesh verbale duke akuzuar njëra tjetrën për pengesa dhe mos zbatim të marrëveshjeve të arritura më parë.

Por, temat e diskutimit të kushtëzuara nga Beogradi janë pengesat kryesore të ngecjes së dialogut.

Situata e krijuar në Veri të Kosovës pasi që autoritetet shtetërore të Kosovës ndërmorën masa për të zbatuar një marrëveshje të arritur disa vite më parë me Serbinë për sa i përket targave, krijoi një polarizim, madje kërcënues nga ana e Serbisë për institucionet e Kosovës.

Në emër të arritjes së një marrëveshjeje për targat, gjë që është arritur përkohësisht, Serbia ngriti kauzën e themelimit të Asociacionit të Komunave Serbe në Kosovë, pra kauzën e cila është hedhur nga Gjykata Kushtetuese, pasi që statusi i atij asociacioni të pretenduar binte ndesh me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Ilustrim

Për ASK-në Serbia proklamoi se pas arritjes së marrëveshjes për targat, temë e vetme e diskutimit do të jetë krijimi i këtij asociacioni, pra atij me kompetenca ekzekutive që pretendon pala serbe.

Kjo në njëfarë mënyre tregonte se si do të duket edhe rrjedha e bisedimeve në Bruksel.

Takimi i thirrur i të dy delegacioneve për të martën e 16 nëntorit në Bruksel nga ana e emisarit të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak dihej mirëfilli se cila do të jetë kërkesa e Serbisë ani pse Kosova ka zgjedhur të heshtë rreth asaj çka do të bisedoj në Bruksel, duke dhënë prononcime vetëm pas takimeve, ndërsa pala serbe tregoi se çka kërkojnë nga takimi, pra themelimin e ASK-së.

Takimet e dy delegacioneve fillimisht u pritën ndaras nga emisari Lajçak.

Delegacioni i Kosovës thuhet se ka biseduar me Lajçak lidhur me pengesat e sportistëve, përkatësisht pengimin e tyre që u bëri Serbia për të marrë pjesë në garat botërore të boksit në Beograd.

Besnik Bislimi dhe Miroslav Lajçak

Gjithashtu, një temë tjetër e bisedimeve ishte edhe ajo për të zhdukurit gjatë luftës, thuhet në një njoftim të zyrës së Kryeministrit të Kosovës.

“Delegacioni i Kosovës ngriti shqetësim të madh për rastin e fundit, kur Serbia si organizatore e Kampionatit Botëror të Boksit, ka shkelur të drejtën e sportistëve dhe të Federatës së Boksit të Kosovës, për pjesëmarrje në Kampionatin Botëror të Boksit, siç është e përcaktuar me rregullat e organizatave ndërkombëtare të sportit”, thuhet në njoftimin e zyrës së kryeministrit.

Nga ana tjetër delegacioni i Beogradit ka akuzuar Prishtinën kinse kanë refuzuar të diskutojnë për themelimin e ASK-së, duke mos u takuar drejtpërdrejtë me ta në një takim trepalësh.

Drejtori i të ashtuquajturës Zyrës për Kosovë në qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç pas takimit dypalësh me emisarin e BE-së për dialogun Prishtinë-Beograd, Miroslav Lajçak, ka thënë se është delegacioni i Kosovës ai që ka refuzuar të bisedoj për formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Në Bruksel në një prononcim për mediat serbe, Petkoviç ka thënë se delegacioni nga Beogradi ka insistuar të bisedohet për vetëm për Asociacionin.

“Prishtina është ajo që refuzon të flasë për formimin e ASK-së, edhe pse pala jonë shumë drejtpërdrejt ka insistuar në formimin e ASK-së dhe ka paraqitur hapa konkretë për formimin e këtij komuniteti”, ka thënë ai.

Petar Petkoviç.

Tutje Petkoviç, është shprehur se Prishtina sot në Bruksel ka refuzuar të marrë pjesë në një bisedë të drejtpërdrejtë me delegacionin e Beogradit për bashkimin e komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Ai ka bërë të ditur se tema e diskutimit të delegacionit të tyre në Bruksel ishte vetëm ASK-ja.

Pas takimeve dypalëshe me të dy delegacionet, emisari i BE-së, Lajçak, përmes një postimi në Tëitter ka bërë të ditur se gjatë takimeve të ndara me Besnik Bislimin dhe Petar Petkoviç ka përsëritur qëndrimin e vendeve anëtare të BE-së se është i nevojshëm një përparim në rrjedhën e dialogut.

“Sot prita dy kryenegociatorët dhe delegacionet e tyre në takime të veçanta për çështjet e pazgjidhura dhe rrugën përpara në dialog”, ka shkruar Lajçak.

Lajçak por edhe kryenegociatori kosovarë, Bislimi nuk kanë dhënë detaje se pse nuk është zhvilluar takimi trepalësh.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore