Muzikë

Dhurata Dora dhe Noizy së shpejti publikojnë bashkëpunimin e tyre të tretë me radhë


As kjo verë duket se nuk do të shpëtoj pa një bashkëpunim në mes të këngëtares nga Kosova, Dhurata Dorës si dhe rep artistit nga Shqipëria, Noizy.

Dyshja shumë shpejt do të vijnë me një projekt të përbashkët, i cili bazuar në bashkëpunimet e kaluara, pritet të renditet në mesin e hiteve të këtij sezoni veror.

Emisioni “Prive”, ka raportuar se Dhurata e Noizy tanimë kanë përfunduar xhirimet e video klipit, të realizuara në kryeqytetin kosovar, dhe e njëjta pritet të lansohet shumë shpejt në treg.

Bashkëpunimi në mes të Dorës si dhe Noizyt, emri i vërtetë i të cilit është Rigels Rajku, është mbajtur “sekret” për publikun, pasi që dyshja, nuk kishin publikuar asnjë detaj në mediat sociale, në lidhje me këtë projekt muzikor.

Artistët në fjalë kishin pasur dy bashkëpunime më parë. Vetëm para pak muajsh, Noizy bashkë me rep artistin gjerman, Lucianon ishin mysafirë të Dorës në albumin e saj  – “Dhurata”.

Tre artistët kishin sjellë këngën “Shut up”, e cila deri më tani numëron afro 2 milionë klikime në kanalin zyrtar të Dhurata Dorës në YouTube.

Në anën tjetër, kënga “Mi Amor” e publikuar afro dy vjet më parë, e që përfshin bashkëpunimin e parë në mes të Dhuratës dhe Noizyt, numëron hiq më pak se 125 milionë klikime në YouTube dhe ishte një nga hitet më të mëdha të verës së vitit 2021.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore