Lajme

Dhëndri i Shpejtim Bulliqit i punësuar – kundërligjshëm – në dy ndërmarrje publike


Kryetari i Podujevës Shpejtim Bulliqi dhe dhëndri i tij i punësuar në KRU, Flakron Zhitia.

Flakron Zhitia, dhëndri i kryetarit aktual të Podujevës nga Lëvizja Vetëvendosje, Shpejtim Bulliqit, përveç se është i punësuar në Ndërmarrjen Publike “Kompania e Ujësjellësit Rajonal Prishtina”, ai mban edhe pozitë të punës në Kompaninë Regjionale “Pastrimi” Sh.A.

Albanian Post pas raportimit se i njëjti ishte punësuar në Ndërmarrjen Publike të ujësjellësit, ka kuptuar se Zhitia, mbante punë qysh më herët edhe në këtë ndërmarrjen publike pastrimi.

Një gjë të tillë e ka konfirmuar për Albanian Post edhe Arbnore Ademi, zëdhënëse në Zyrën për Informim në Kompaninë “Pastrimit”.

Ajo ka sqaruar se Zhitia, është “punonjës i rregullt”.

“I punësuari, z. Flakron Zhitia, është punonjës i Kompanisë ‘Pastrimi’, SH.A i cili është punonjës i rregullt ne kompani”.

E pyetur nëse janë të informuar se Zhitia aktualisht është duke mbajtur dy pozita në ndërmarrje publike, ajo ka thënë se kompania nuk ndërhyn në çështje të punëtorëve për aq sa kohë që sipas saj ata vazhdojnë të jenë të rregullt.

“Referuar kërkesës suaj që z.Zhitia është i punësuar në institucion tjetër, kompania nuk ka të drejtë të përzihet në çështje të tilla të punëtorëve përderisa të njëjtit vazhdojnë të jenë pjesë e Kompanisë “Pastrimi”, SH.A-Prishtinë dhe punonjës të rregullt”, deklaroi Ademi për AP.

Se i njëjti mban pozitë tashmë edhe në Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit e kishte konfirmuar edhe kjo ndërmarrje për Albanian Post, më 4 gusht.

Nga kjo kompani pretendohej se Zhitia, i ka plotësuar të gjitha kriteret e kërkuar në konkurs për t’u punësuar në këtë kompani.

“Pas pranimit të pyetjes tuaj ne kemi kërkuar përgjigje nga komisioni. Komisioni ka respektuar të gjitha procedurat ligjore në lidhje me rekrutim. Vlerësimi i komisionit ka qenë profesional, në bazë të meritokracisë dhe i pandikuar nga askush”.

“Kandidati në fjalë është vlerësuar me piket maksimale”, kanë thënë nga KRU për AP.

Albanian Post që nga e premtja ka kontaktuar edhe Zhitinë, por që deri në momentin e publikimi të këtij artikull s’ka pranuar asnjë përgjigje. Ai ka parë pyetjet e dërguara nga AP, por ka refuzuar të përgjigjet.

A është e ndaluar të punohet në dy ndërmarrje publike?

Sipas këshilltarit të lartë në Qendrën për Ndihmë Juridike dhe Zhvillim Rajonal, Anton Nrecaj, ligji i punës dhe ai i shërbyesve civil e sqaron se nuk është e mundur të mbahen dy punë në të njëjtën kohë e veçanërisht në ndërmarrje publike të cilat punojnë me orare të ngjashme.

Në një rast të tillë, Zhitia do të lejohej të mbante dy puna në ndërmarrje publike vetëm në rast se do të punonte me gjysmë orari, por i njëjti është “punonjës i rregullt”.

“Ligji i punës dhe ligji për shërbyes civil e sqaron se nuk mundesh të punosh në një kompani në këtë rast në ndërmarrje publike të cilat kanë orare të ngjashme. Përjashtimisht mundet me gjysmë orari, lejohet do të thotë me vetëm 40 për qind”, sqaron Nrecaj për Albanian Post.

Në rast të tillë, ai thotë se duhet të ketë dënime nga inspektorët e punës pasi është “shkelje e ligjit”.

“Me orar të plotë është shkelje të ligjit dhe ai person duhet të dënohet nga inspektorët e punës sepse me kontratë nevojitet performanca përshkrimi i detyrave të punës sepse nuk mund të jesh në dy vende të punës në të njëjtën kohë”.

Dhëndri i Shpejtim Bulliqit punësohet në Ndërmarrjen Publike “KRU Prishtina” – Bulliqi: Mos më pyetni mua si është punësuar

Më 4 gusht, Albanian Post kishte kuptuar se Zhitia ishte punësuar në Ndërmarrjen Publike “Kompania e Ujësjellësit Rajonal Prishtina”.

AP kishte siguruar vendimin e marrë nga Ujësjellësi për ta renditur më së larti me pikë në mesin e kandidatëve të tjerë dhëndërinë e Bulliqit, Flakronin.

Bulliqi, nuk e kishte mohuar punësimin e dhëndrit për Albanian Post, por tha se nuk jep përgjigje rreth punësimit të tij sepse ai nuk është adresa.

“S’po ju dëgjoj edhe mirë”, kishte thënë Bulliqi, “po ka telefoni ndërprerje”, shtoi. “Ama pyesni aty ku pyetet, unë nuk jam adresa, mos më pyetni mua”.

Bulliqi më pas e kishte ndalur telefonin dhe kishte refuzuar ta hapë prapë.

Në dokumentin e vendimit të siguruar nga AP, thuhet se “për rezultatin e konkursit numër 2047, të datës 09.06.2023 për vendin e punës kontabilist” kandidati që kapi më së shumti pikë është Flakron Zhitia.

Në piktë me test Zhitia ka 77, derisa nga intervista ai është vlerësuar 91.3 për qind, mjaftueshëm kjo për ta vendosur të parin në listë.

Dhëndri i Bulliqit është nga Podujeva, por me vendbanim në Prishtinë.

Ai ka mbyllur llogaritë e tij në rrjete sociale po sa ka fituar vendin e punës, por nga postimit e mbetura shihet duke bërë fushatë për Bulliqin në kohë zgjedhjesh.

Në një foto të postuar është Bulliqi, kryetari i Parlamentit të Kosovës, Glauk Konjufca, vetë Zhitia e anëtarë të tjerë të Vetëvendosjes.

Bulliqi u bë figurë nacionale në politiken kosovare kur kishte dalur kundër demarkacionit me Malin e Zi.

Si ekspert gjeografie ai thoshte se Kosova po humbë tokë me marrëveshjen që kishte arritur me shtetin fqinj.

Bulliqi përkundër se qindra emisione u ftua për ta sqaruar, asnjëherë nuk kishte arritur të tregojë se ku saktësisht po humbet toka.

Në atë kohë ishte pjesë e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Bulliqi më pas kaloi në Lëvizjen Vetëvendosje dhe u bë kryetar komune nën siglën e kësaj partie.

Demarkacioni me Malin e Zi mbeti ashtu siç e kundërshtonte Bulliqi.

Por, ai e as Vetëvendosja më s’flasin për “humbjen e tokës”.

Kryeministri i Malit të Zi, Driton Abazoviç, ka thënë se ajo çështje është e mbyllur.

Dhëndri i Shpejtim Bulliqit punësohet në Ndërmarrjen Publike “KRU Prishtina” – Bulliqi: Mos më pyetni mua si është punësuar

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore