Lajme

Dhëndri i Shpejtim Bulliqit punësohet në Ndërmarrjen Publike “KRU Prishtina” – Bulliqi: Mos më pyetni mua si është punësuar


Kryetari i Podujevës Shpejtim Bulliqi dhe dhëndri i tij i punësuar në KRU, Flakron Zhitia.

Flakron Zhitia, dhëndëri i kryetarit aktual të Podujevës nga Lëvizja Vetëvendosje, Shpjetim Bulliqit, është punësuar në Ndërmarrjen Publike “Kompania e Ujësjellësit Rajonal Prishtina”.

Albanian Post ka siguruar vendimin e marrë nga Ujësjellësi për ta renditur më së larti me pikë në mesin e kandidatëve të tjerë dhëndërinë e Bulliqit, Flakronin.

Bulliqi, që vetë akuzohet se vodhi ngjyrën e shkollës për ta lyer shtëpinë e tij, nuk e ka mohuar punësimin e dhëndrit për Albanian Post, por tha se nuk jep përgjigje rreth punësimit të tij sepse ai nuk është adresa.

“S’po ju dëgjoj edhe mirë”, tha Bulliqi, “po ka telefoni ndërprerje”, shtoi. “Ama pyesni aty ku pyetet, unë nuk jam adresa, mos më pyetni mua”.

Bulliqi më pas e ka ndalur telefonin dhe ka refuzuar ta hapë prapë.

Në dokumentin e vendimit të siguruar nga AP, thuhet se “për rezultatin e konkursit numër 2047, të datës 09.06.2023 për vendin e punës kontabilist” kandidati që kapi më së shumti pikë është Flakron Zhitia.

Në piktë me test Zhitia ka 77, derisa nga intervista ai është vlerësuar 91.3 për qind, mjaftueshëm kjo për ta vendosur të parin në listë.

Ndërsa në një përgjigje për Albanian Post nga Kompania Rajonale e Ujësjellësit pretendojnë se Zhitia, i ka plotësuar të gjitha kriteret e kërkuar në konkurs për t’u punësuar në këtë kompani.

“Pas pranimit të pyetjes tuaj ne kemi kërkuar përgjigje nga komisioni. Komisioni ka respektuar të gjitha procedurat ligjore në lidhje me rekrutim. Vlerësimi i komisionit ka qenë profesional, në bazë të meritokracisë dhe i pandikuar nga askush”.

“Kandidati në fjalë është vlerësuar me piket maksimale”, kanë thënë nga KRU për AP.

Dhëndri i Bulliqit është nga Podujeva, por me vendbanim në Prishtinë.

Ai ka mbyllur llogaritë e tij në rrjete sociale po sa ka fituar vendin e punës, por nga postimit e mbetura shihet duke bërë fushatë për Bulliqin në kohë zgjedhjesh.

Në një foto të postuar është Bulliqi, kryetari i Parlamentit të Kosovës, Glauk Konjufca, vetë Zhitia e anëtarë të tjerë të Vetëvendosjes.

Bulliqi u bë figurë nacionale në politiken kosovare kur kishte dalur kundër demarkacionit me Malin e Zi.

Si ekspert gjeografie ai thoshte se Kosova po humbë tokë me marrëveshjen që kishte arritur me shtetin fqinj.

Bulliqi përkundër se qindra emisione u ftua për ta sqaruar, asnjëherë nuk kishte arritur të tregojë se ku saktësisht po humbet toka.

Në atë kohë ishte pjesë e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Bulliqi më pas kaloi në Lëvizjen Vetëvendosje dhe u bë kryetar komune nën siglën e kësaj partie.

Demarkacioni me Malin e Zi mbeti ashtu siç e kundërshtonte Bulliqi.

Por, ai e as Vetëvendosja më s’flasin për “humbjen e tokës”.

Kryeministri i Malit të Zi, Driton Abazoviç, ka thënë se ajo çështje është e mbyllur.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore