Lajme

Destinacioni i kamionëve me 400 kilogramë kokainë


“400 kilogramë kokainë të kapura të hënën nga Policia e Kosovës në Lipijan dyshohet se destinacion mund ta kenë pasur Gjermaninë”.

Kështu ka thënë gazetari hulumtues nga Shqipëria, Artan Hoxha në një prononcim për Albanian Post.

“Nisur nga eksperienca e rasteve te mëparshme të lëndës narkotike të kapur në territorin e Republikës se Shqipërisë, rezulton që kokaina e nivelit shumë të pastër, futet në Ballkan për tu magazinuar, përpunuar dhe më pas për tu dërguar në pjesë të vogla në tregun e pasur të BE-së, aty ku do shitet te klientët. Në rastet e laboratorit e Xibrakes, i kapur ne janar 2015, kokaina e ardhur nga Kolumbia, përpunohej dhe nisej në ngarkesa te vogla drejt tregut te Gjermanisë”, tha Hoxha.

Sipas tij “e njëjta gjë me rastin e kompanisë Arbri Garden, e cila transportonte kokaine ne sasi te mëdha nga Ekuadori drejt Shqipërisë. Sasia prej 613 kg kokainë e kapur ne Maminas te Durrësit, kishte si destinacion tregun e Gjermanisë”.

“Pra tradicionalisht dhe historikisht, kokaina në sasi të mëdha e kapur ne Shqipëri ka si destinacion final Gjermaninë. Nisur nga fakti që grupet kriminale të Shqipërisë dhe të Kosovës kanë operuar apo bashkëpunuar prej shume vitesh në Gjermani, e bën më tepër të besueshëm se një sasi kaq e madhe kokaine është e destinuar për këtë treg. Pse kjo sasi kokaine nuk mund të shkojë në Mbretërinë e Bashkuar”, shtoi ai.

Hoxha thekson se Kosova vazhdon të jetë vend tranzit më i përshtateshim për kontrabandimin e drogës.

Ai shtoi se “aktualisht grupe shqiptare të narkotrafikut me origjine nga Fieri, Kukesi, Hasi, Shkodra dhe Tropoja, kanë bashkëpunim me grupe kriminale nga Kosova.

Eksperti i çështjeve të sigurisë, Drizan Shala, thekson se Kosova ashtu sikurse edhe Maqedonia janë duke u përdorur si korridor në Ballkan, për bartjen e drogës.

“Korridori ballkanik dominon drogën që hyn në Evropë nga Lindja. Drogat opioide trafikohen nga vendet prodhuese Afganistani, Pakistani dhe Irani duke kaluar transit në Turqi dhe Ballkan për të shkuar në Evropën Qendrore dhe Perëndimore. Rruga ballkanike ka disa linja që ndryshojnë vazhdimisht, por linja kryesore e trafikut kalon nga Bullgaria, Serbia, Bosnjë-Hercegovina, Kroacia, Sllovenia dhe Austria, ndërkohë që një linjë më e vogël kalon nga Maqedonia dhe Kosova dhe përdoret kryesisht për magazinimin dhe ripaketimin e saj”.

“Kjo linjë është përdorur kryesisht për kontrabandën e heroinës nga Irani dhe Pakistani për në Evropë, ose direkt ose nga kontinenti afrikan. Përveç këtij korridori trafikantët përdorin edhe të ashtuquajturën linjë të veriut që kalon nga jugu i Kaukazit mësipërmes Detit të Zi”.

Ndërkaq avokati Besnik Berisha, që mbron njërin nga të arrestuarit që dyshohet për transportimin e kokainës, tha se për AP se “klienti i tij është plotësisht i pafajshëm”.

“Klienti im është viktimë. Shpresojmë se shumë shpejt do të zbardhet kurthi që i është bërë atij nga persona ende të panjohur. Ai është afarist i ndershëm, i përgjegjshëm, është ndër afaristët më serioz që ka Kosova në importimin e produkteve të mishit. Droga e cila është gjetur në hapësirat e biznesit të tij dyshohet se është një kurth i përgatitur, ose nga konkurrenca, ose nga kriminelët të cilët e kanë porositur dhe akoma janë të lirë, sepse droga nuk ka përfunduar në destinacionin final”, potencoi Berisha.

400 kilogramë kokainë janë konfiskuar të hënën në Lipjan nga Policia e Kosovës. Në këtë aksion janë arrestuar shtatë persona dhe me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore