Lajme

Dështon seanca për vjedhjen e mbi 2 milionë eurove nga thesari i shtetit


Foto: Betimi për Drejtësi.

Seanca ndaj Labinot Grudës dhe Kadri Shalës të cilët akuzohen për vjedhjen e 2 milionë e 77 mijë e 995 eurove nga Thesari i Shtetit është shtyrë, për arsyeje të mungesës së gjykatëses Shadije Gërguri.

Gjyqtari Arben Hoti, në këtë seancë bëri të ditur se Gërguri, po mungon për shkak të një urgjence.

Bazuar në këto rrethana, seanca e të hënës është shtyrë, ndërsa ajo e radhës është caktuar për 13 qershor të 2022, raporton Betimi për Drejtësi.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), më 12 tetor 2021, ka ngritur aktakuzë në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë kundër të pandehurve Labinot Gruda dhe Kadri Shala.

Gjykata Themelore në Prishtinë.

Sipas aktakuzës, Kadri Shala, si person përgjegjës i kompanisë “LDA GROUP SHPK” i ka mundësuar Labinot Grudës, zyrtar në Ministrinë e Financave, që paratë nga Thesari i Shtetit në vlerë të 2 milionë e 77 mijë e 995 eurove e 90 centë të transferohen në të njëjtën kompani në mënyrë të kundërligjshme.

Po ashtu, sipas aktakuzës Kadri Shala ka kryer veprën penale të ndihmës e cila është ndërlidhur me veprën tjetër penale atë të keqpërdorimit të detyrës zyrtare.

Dy të pandehurit, Labinot Gruda dhe Kadri Shala, sipas aktakuzës, pas marrëveshjes dhe planifikimit paraprak në bashkëkryerje kanë bërë transferimin e parave nga Thesari i Shtetit në kompaninë e personit të autorizuar Kadri Shala “LDA GROUP SHPK”.

Ndërsa me qëllim të fshehjes së parave të transferuara në mënyrë të kundërligjshme, i ka ndarë rreth 2.1 milionë eurot në llogari të ndryshme bankare të personave fizik nën arsyetimin për blerje, huazim, avans, donacione e kryerje të borxheve 1 milion e 416 mijë e 413 euro e 64 centë.

Shala dyshohet se i ka transferuar në 26 kompani të ndryshme në Kosovë, ndërsa 440 mijë euro i njëjti person dyshohet se i ka transferuar në llogari bankare në Turqi nën arsyetimin për pagesë të blerjes së makinerisë së betonieres dhe pompës së betonit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore