Gjykata Speciale

Dëshmitari i tetë: Në zonën operative të Llapit kemi qenë pothuajse 200 ushtarë


Dëshmitari i tetë.

Në Ditën e Çlirimit të Kosovës, Gjykata Speciale në Hagë ka vazhduar deklaratën, në dëgjimin e dëshmitarit të tetë.

Edhe pse një seancë është mbajtur e mbyllur, në disa pjesë seanca ka kaluar në seancë publike.

Dëshmitari ka deklaruar rreth stërvitjeve që janë mbajtur në komunën e Podujevës, mënyrën si stërviteshin, informacionet që merrnin nga stërvitja dhe numrin e ushtarëve që merrnin pjesë.

Më poshtë po sjellim të plotë deklaratën e dëshmitarit të tetë në Gjykatën Speciale.

Gjykatësja: Dëshmitar për publikun, më lejoni të them që ne po diskutonim për një stërvitje të UÇK-së ku keni marrë pjesë në Bajgorë, a mund të na thoni se ku ka ndodhur stërvitja në Bajgorë

Dëshmitari: Ka qenë i përqendruar në objektin shkollor, në fshatin Bajgorë aty edhe ku ka ndodhur stërvitja.

Gjykatësja: Çfarë kishte atje në Bajgorë, në atë shkollë atëherë?

Dëshmitari: Ishte zonë operative, ku ka qenë e përqendruar stërvitja, vetë shtabi atje ka qenë i përqendruar, ka qenë e përqendruar kuzhina ushtarake.

Gjykatësja: Ju përmendet që shkolla, ishte një bazë që i takonte zonës operative të Llapit dhe që shtabi i zonës operative të Llapit ishte atje. A e dini nëse shtabi i zonës operative ishte i vendosur aty në Bajgorë, në shkollë? Thjesht sa për ta sqaruar atë që thatë.

Dëshmitari: Me dijeni time po.

Gjykatësja: Përmendet zonën operative të Llapit, a mund të na thoni nëqofse Bajgora i takonte ndonjë njësie specifike të UÇK-së?

Dëshmitari: E di se i ka takuar një zone operative.

Gjykatësja: A e dinit ju në atë kohë, kur po stërviteshit se çfarë zonë gjeografike mbulohej nga zona operative e Llapit?

Dëshmitari: Ka qenë një zonë e vogël, nuk e di, ka qenë kryesisht zona të thella malore. Jo ndonjë territor i Komunës së Podujevës.

Gjykatësja: Ku qëndronit apo ku keni fjetur ju gjatë kohës së stërvitjes?

Dëshmitari: Në bazë ushtarake që ka qenë shkolla në Bajgorë.

Gjykatësja: Pra, në të njëjtin vend ku bëhej edhe stërvitja kështu? Sa ushtarë të tjerë ishin atje që merrnin pjesë me ju në stërvitje?

Dëshmitari: Përafërsisht kemi qenë 200.

Gjykatësja: Do të ju kërkoj që të përshkruani pak stërvitjen ku keni marrë pjesë së pari a mund të na thoni se çfarë temash mbuloheshin në atë stërvitje?

Në mëngjes ka qenë rutina e stërvitjes fizike përafërsisht që ka zgjatur deri në ora 10:00 të mëngjesit, pastaj ka ardhur pauza që ka zgjatur një orë apo një orë e gjysmë, kur e kemi pasur edhe kohën e mëngjesit.

Pastaj, pas mëngjesit kemi kaluar në stërvitje specifike ku jemi mësuar se si ta montojmë një armë, si ta çmontojmë ka pasur gjithashtu shpjegime se si të bëhet përdorimi i minave, si të bohet montimi i minës.

Gjykatësja: Stërvitja a përfshinte informacione apo udhëzime lidhur me detyrat dhe përgjegjësitë si ushtar i UÇK-së?

Dëshmitari: Po kjo ka qenë vazhdimisht.

Gjykatësja: A përfshinte edhe informacion apo udhëzime lidhur me zingjirin e komandës, për shembull detyrat dhe përgjegjësitë ndaj eprorëve komandantëve eprorë?

Dëshmitari: Po, gjatë gjithë kohës.

Gjykatësja: A keni marrë udhëzime atje se si ta identifikoni armikun?

Dëshmitari: Patjetër, nuk ka qenë e vështirë që të identifikohet armiku. Ka qenë shumë e qartë përmes simboleve, uniformës dhe mjeteve që ka pasur në dispozicion.

Gjykatësja: Stërvitja a përfshinte informacione lidhur me ligjet e luftës?

Dëshmitari: Po, fatkeqësisht për shkak të rrethanave që janë krijuar nuk kemi arritur pjesën e shpjegimit apo ligjëratave për shkak të rrethanave që janë krijuar në atë kohë të caktuar.

Gjykatësja: A jeni stërvitur ju edhe për të drejtat e civilëve gjatë konfliktit të armatosur?

Dëshmitari: Jo s’kemi arritur tek pika ligjore.

Gjykatësja: Juve dhe grupeve të tjera a ju prezantuan ndonjë komandant gjatë seancave të stërvitjes?

Dëshmitari: Po.

Gjykatësja: A mund të thoni se kush iu prezantua?

Dëshmitari ka refuzuar të përgjigjet.

Gjykatësja: Ju na thatë që komandant Rremi ishte komandant i zonës operative të Llapit të UÇK-së, gjatë asaj dite a mësove për komandant të tjerë të zonës operative të Llapit?

Dëshmitari: Gjatë kohës së trajnimit nuk mund të them se mësova, komandant të tjerë.

Gjykatësja: A e dinit nëse në atë kohë kishte ndonjë shtab të zonës operative të Llapit?

Dëshmitari: Po, kemi qenë në dijeni. Jo vetëm si ushtarë kemi qenë në dijeni edhe si shqiptarë që zona operative e Llapit ekziston.

Gjykatësja: Për sa kohë zgjati stërvitja?

Dëshmitari: Stërvitja ka zgjatur për një javë, por që ishte me ndërprerje.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore