Lajme

Dëshmitari i radhës ndaj ish-krerëve të UÇK-së, deklarohet në seancë të mbyllur


Gjykata Speciale.

Pas përfundimit të dëshmisë në Gjykatën Speciale të ish-gazetari të mediumit serb, Tanjug, Nebojsha Radosheviç, ka nisur dëshminë dëshmitari i radhës i Prokurorisë ‘04557’.

Që nga fillimi i seancës për mbrojtje të dëshmitarit është thënë se seanca duhet të kaloj në sesion privat ndërsa të hënën avokati i Kadri Veselit, Ben Emmerson, ka ngritur një rast që nëse vërtetohet përbën një nga skandalet më të mëdha prejse ka filluar seancat Specialja.

Emmerson, tregoi se në shënimet përgatitore për dëshmitarin e radhës është vërejtur se ai ka tentuar të negociojë me Prokurorinë një pako përfitimi për të, në këmbim të dëshmisë.

Avokati po ashtu tha se vërehet se aty dallohet një zyrtar i prokurorisë teksa i sugjeron dëshmitarit mundësi përfitimi në këmbim të dëshmisë.

“S’ka lidhje me këtë dëshmitar, por ka lidhje me dëshmitarin që do të dëshmojë nesër. Nuk e di nëse keni pasur mundësi të shikoni shkrimin e dëshmitarit, por ju lutem ta shikoni shënimin përgatitorë numër 2. Në këtë shënim përgatitor është një përshkrim ku shihen përpjekje nga dëshmitari të negociojë diçka me Prokurorinë para se të jap dëshminë”.

“Është paragrafi 1 dhe 12, diskutohet diçka lidhur me atë që është premtuar në të shkuarën dhe atë se çfarë s’është premtuar”, kishte thënë Emmerson.

Tutje, ai ka thënë se përmes kësaj forme dëshmitari shpreh dëshirën e tij që të negociojë për ndonjë përfitim të caktuar.

“Dëshmitari ka shprehur dëshirën të negociojë një përfitim apo një paketë të caktuar dhe nuk e di nëse ju jeni të njohur me juridiksionin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por këtu ngrihen pikëpyetje sa i përket sjelljes së përfaqësuesit të Prokurorisë, i cili në njëfarë mënyrë i jep sugjerime dëshmitarit”.

Emmerson, ka theksuar se kjo është në kundërshtim edhe me juridiksionin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) por edhe me atë të Mbretërisë së Bashkuar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore